Shqipëri: Shënohet 75-vjetori i gjenocidit grek ndaj shqiptarëve në Çamëri

Në Shqipëri me aktivitete të ndryshme në javën e fundit të muajit qershor përkujtohet gjenocidi grek mbi shqiptarët e Çamërisë. Këtë vit shënohet 75-vjetori i gjenocidit grek në Çamëri, ndërsa data 27 qershor është shpallur me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”.

Pelegrinazh, ekspozita, aktivitete përkujtimore dhe të tjera janë pjesë e “Javës së Historisë dhe Kulturës Çame”, që me anë të tyre synohet të sillen në vëmendje vuajtjet dhe të mos harrohet gjenocidi, por edhe të ruhet dhe transmetohet kultura çame në Shqipëri dhe më gjerë.

Në lidhje me këtë përvjetor, kryetari i Shoqatës Patriotike Çamëria, Dritan Sejko, për Anadolu Agency (AA), tha se këtë vit përkujtojnë 75-vjetorin e fillimit të fundit të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, ndaj një popullsie të pambrojtur.

“Fillimi i fundit sepse qershori i vitit 1944 ishte gjenocidi përfundimtar, ai ishte fundi i një politike shoviniste prej dekadash nga qeveria greke që kulmoi me gjenocidin. Ndërkohë kishte vite që bëhej një presion psikologjik ndaj shqiptarëve të Çamërisë ndër dekada. Kjo ishte pika kulminante ku mbi shqiptarët e Çamërisë u përdorën armë, por edhe spastrimi etnik”, tha Sejko.

Sejko thekson se shqiptarët e Çamërisë e kanë përkujtuar dhe do ta përkujtojnë gjithmonë 27 qershorin, sipas tij edhe kur çështja çame të zgjidhet. “Kjo është një datë historike, që është dhe do të jetë pjesë e historisë jo vetëm të Çamërisë, por e gjithë kombit shqiptar”, shprehet për AA kreu i Shoqatës Patriotike Çamëria.

Lidhur me kërkesat e komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë, Sejko shprehet se janë ato që i kanë çdo individ dhe grup shoqëror, që janë në bazë të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, si të lëvizjes së lirë, të gëzimit të pronës, të njohjes së gjenocidit, që sipas tij, kjo është më thelbësore sepse ka të bëjë me dinjitetin njerëzor.

Shoqata Çamëria dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) kërkojnë nga Qeveria e Shqipërisë që Varrezat e Kllogjerit në Konsipol të shpallen varreza monumentale të njohura nga shteti shqiptar që në çdo 27 qershor, të organizohet ceremoni zyrtare e homazheve. Sejko u shpreh se kjo duhet të zyrtarizohet sepse 27 qershori është datë e njohur nga Parlamenti i Shqipërisë dhe sipas tij është një detyrim i shtetit shqiptar.

Gjenocidi grek ndaj popullatës çame që shkaktoi mijëra viktima dokumentohet dhe rrëfehet ende në ditët e sotme nga shumë pjesëtarë të këtij komuniteti që e kanë përjetuar së bashku me familjet dhe të afërmit e tyre.

Njëri prej tyre është 96 vjeçari Ibrahim Hoxha, shkrimtar dhe historian çam, me origjinë nga fshati Dhrohomi, 12 kilometra në jug të Paramithisë, familja e të cilit ka përjetuar gjenocidin grek për vite me radhë. Familja e tij pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore u vendos në Tiranë, ku edhe jeton aktualisht.

Për AA, Hoxha tregon se nga familja dhe të afërmit e tij janë vrarë gjatë masakrave në vite të ndryshme 18 persona, duke përfshirë babain që u vra në vitin 1940, vëllain, gjyshin, si dhe disa persona të tjerë të afërm.

Ai tregon se Çamëria ndaj ushtrisë greke u mbrojt para fillimit të gjenocidit masiv, ndërsa më pas ushtria greke filloi masakrat në masë duke vrarë fillimisht krerët e fiseve dhe drejtuesit kryesor të Çamërisë. Hoxha tregon se shumë çamë prej masakrave u detyruan të largohen në Turqi.

“Ushtria greke u derdh mbi Çamërinë dhe menjëherë filloi masakrat, me sëpatë e thika mbi ata që kishin udhëhequr luftën mbrojtëse. Për shkak të masakrave dhe shtypjes shumë çamë u detyruan të ikin sidomos mijëra në Turqi. Pra popullata u detyrua të largohet. I mblidhnin njerëzit dhe i varnin edhe në pemë, ku vdisnin edhe aty”, tregon njëri ndër të paktët persona që sot dëshmojnë masakrat ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Ai tregon se për gjenocidin ka gjetur shumë dokumente në arkivin e Stambollit, në arkivin e Romës, dhe në arkiva të tjera, si dhe për të afërmit e tij. “Kam ende në Turqi të afërmit e mi, djemtë e xhaxhait. Kam të afërm që jetojnë në Eskişehir, në Izmir dhe në qytete të tjera dhe këto i kam përshkruar në librin tim, ‘Turqit dhe Shqiptarët'”, tha ai.

Hoxha tregon se as gjatë komunizmit, por edhe në vitet e demokracisë nuk ka arritur që të shkojë të vizitojë Çamërinë, ndërkohë në vitet e fundit shumë shqiptarë të Çamërisë pengohen që të kalojnë kufirin grek.

“Çamët kanë vuajtur nën regjimin grek atë që nuk e ka vuajtur asnjë popull i botës. Pushteti grek në Çamëri ka qenë me një karakter të egër që nuk ka pas krahasim në botë. Çamët ishin kurajozë e shumë trima, por e kanë paguar me kokën e tyre”, shprehet për AA Hoxha, i cili tragjedinë e Çamërisë, si dhe kulturën e traditën e kësaj krahine e ka dokumentuar në shumë libra.

Nga masakrat dhe gjenocidi grek masiv ndaj popullsisë çame në vitet 1944-1945 mbetën të vdekur mijëra shqiptarë të Çamërisë dhe mijëra të tjerë u shpërngulen nga tokat e tyre për në Shqipëri, Turqi dhe vende të tjera.

Nga masakrat dhe shpërnguljet masive që filluan më 27 qershor të vitit 1944 u spastrua etnikisht një popullsi prej 35.000 banorësh, shqiptarë muslimanë. Nga kjo fushatë spastrimi u vranë rreth 3000 persona, të moshuar, fëmijë gra, popullsi civile dhe mbi 2000 të tjerë vdiqën nga kushtet e vështira të jetesës dhe shpërnguljet, ndërsa u dogjën edhe mijëra shtëpi.

Shqiptarët e Çamërisë pas gjenocidit u vendosën në zona dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë, si në Sarandë, Konispol, Tiranë, Elbasan, Fier, Lushnje dhe Kavajë, duke vazhduar të ruajnë kulturat dhe traditat e tyre.

Kujtojmë se Kuvendi i Shqipërisë në vitin 1994 ka miratuar ligjin për shpalljen e 27 qershorit në kalendarin kombëtar si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”.

Për këtë ditë, disa ditë më parë Shoqata Çamëria dhe PDIU organizuan pelegrinazh në Varrezat e Kllogjerit, në Konispol, për 75-vjetorin e gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë, në vendin ku humbën jetën mijëra çamë, të cilët u larguan me dhunë nga trojet e tyre.

Çamëria është një krahinë e madhe gjeografike dhe etnografike në pjesën më jugore të trevave të banuara prej shqiptarëve, që shtrihet përgjatë bregdetit të Jonit (Deti Jon) me një sipërfaqe rreth 3900 kilometra katrorë.

Qendrat kryesore të saj janë Filati, Gumenica, Lura, Margëllëçi, Arta, Paramithia, Parga e Preveza. Çamëria ka qenë e banuar që në antikitet nga fiset ilire, ndërsa në periudhën osmane njihet si pjesë e Vilajetit të Janinës deri në vitin 1912.

Në vitin 1913 me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, pjesa më e madhe e Çamërisë iu dha Greqisë, ndërsa brenda kufijve të shtetit shqiptar mbetën disa fshatra me popullsi myslimane dhe ortodokse. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne