Shqipëri-Turqi, nënshkruhet Plani i Bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë deklaroi se shteti turk është një nga kontribuesit më të rëndësishëm të logjistikës ushtarake dhe asaj të emergjencave civile në Shqipëri.

“Po ashtu Turqia tregoi se jo vetëm është një nga bashkëpunëtorët më të mirë të vendit në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes, por edhe një vend mik në momente të vështira. Shteti turk dha një ndihmë të konsiderueshme gjatë periudhës së vështirë pas tërmetit që goditi Shqipërinë më 26 nëntorin e vitit të kaluar”, shkruhet në faqen zyrtare të Ministrisë.

Me qëllim forcimin dhe intensifikimin e ndërveprimit në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes është nënshkruar edhe plani i Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes për vitin 2020 ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Turqisë.

Plani u nënshkrua nga Florian Kali drejtor i Përgjithshëm i Politikave të Mbrojtjes dhe kolonel Şakir Cumhur Somer, atashe ushtarak i Republikës së Turqisë në Tiranë.

Plani i bashkëpunimit përmban aktivitetet që të dy ministritë angazhohen të realizojnë gjatë vitit 2020 me qëllim forcimin dhe intensifikimin e ndërveprimit në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne