Shqiperia

Shqipëria adapton metoda fashiste në burgje

Në burgjet shqiptare do të aplikohet regjimi i posaçëm “41-bis”. Prokurori i antimafias italiane Federico Cafiero De Raho deklaroi sot në një konferencë të organizuar nga Ministria e Drejtësisë se këto masa do të sjellin rezultate konkrete në goditjen e krimit dhe korrupsionit në Shqipëri. Por çfarë është regjimi “41-bis”?

Për herë të parë të parë në Itali termi “41-biss” është prezantuar në vitin 1992, kohë kur humbën jetën Giovani Falcone dhe Paolo Borselino, si mburojë specifike për anëtarët e grupit mafioz Cosa Nostra dhe grupe të tjera të ngjashme me të. Me vdekjen në qeli të bosit të Cosa Nostrës, Toto Rina në nëntor të 2017-ës, “41-bis” u rikthye sërish në qendër të vëmendjes në Itali, për të ringritur edhe një herë sigurinë në burgje.

Thelbi i regjimit “41-bis” është nevoja për të penguar komunikimin e të burgosurve me njerëz jashtë. Duke bërë këtë, pengohen bosët e mafies që të kenë komunikime të mundshme me organizatat kriminale. Kështu, atyre u bllokohet mundësia që të japin urdhra për vrasje dhe krime ndërkohë që janë në burg. Limitimi i numrit të takimeve me familjarët, është një ndër rregullat strikte, ku saktësohet maksimumi 1 takim në muaj.

Po ashtu ndalohet kontakti fizik me familjarët, ndërsa çdo bisedë mes tyre është e regjistruar. Të burgosurit kanë mundësinë e një telefonate 10 minutëshe në muaj, edhe ajo e regjistruar. Çdo korrespondencë me jashtë do të jetë e kontrolluar. Të burgosurit i ndalohet çdo objekt personal në qeli, si stilolaps, blloqe apo lekë. Të burgosurit janë aq të vëzhguar sa është e pamundur të komunikojnë mes të dënuarve, të gatuajnë, të shkëmbejnë objekte dhe janë grupe sociale të ndryshme të dënuarish.

Në Itali kjo platformë ligjore aplikohet në 23 institucione të vuajtjes së dënimit në të gjithë territorin italian. Por burgjet shqiptare nuk kanë kushte për të plotësuar standardet e ‘41 biss’, dhe autoritetet janë përpjekur të përshtasin këtë lloj regjimi me atë që parashikon ligji shqiptar. Ky ligj u miratua me 76 vota në seancën palamentare të 21 dhjetorit 2018 dhe pritet të hyje në fuqi këtë të mërkurë.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj deklaroi sot se këtij regjimi do i nënshtrohen 270 të dënuar ose që janë në proces gjykimi që dyshohet se mbajnë kontaktet me botën e krimit jashtë hekurave./bw

OPINIONE