Shqipëria dërgon një tjetër ekip shëndetësor në ndihmë të Italisë

Shqipëria ka dërguar një tjetër ekip shëndetësor në Itali në mbështetje për përballimin me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19).

Gjatë përcjelljes së 60 infermierëve drejt Italisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza” ishte e pranishme edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu.

Duke vlerësuar gjestin e infermierëve, sipas njoftimit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Manastirliu tha se, “Ashtu si 30 mjekët dhe infermierët e parë që na bënë krenarë, jam e sigurt që edhe ju do të na nderoni”.

Sipas njoftimit, ministrja Manastirliu tha se Shqipëria edhe para disa javëve dha një shembull të shkëlqyer solidariteti.

I pranishëm në ceremoninë e përcjelljes së infermierëve ishte edhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, i cili “shprehu falënderim dhe mirënjohje për Shqipërinë për këtë akt solidariteti”.

Pas grupit të parë prej 30 mjekësh dhe infermierësh që u dërguan më 28 mars, ky është grupi dytë i përbërë prej 60 infermierësh që do të shërbejnë në veri të Italisë, në zonat më të goditura nga COVID-19./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne