Ky forum erdhi si nevojë dhe kërkesë e sipërmarrësve nga Libia për të njohur tregun tonë, ndërsa pjesëmarrës ishin sipërmarrës nga të dy vendet që i përkisnin kryesisht fushave të ndryshme si në ndërtim dhe infrastrukturë, imobiliare, agro turizëm dhe farmaceutikë.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka u shpreh se ky është një moment i rëndësishëm për ne për të vendosur marrëdhënie të reja tregtare në mes të dy vendeve tona.
Për këtë qëllim Dhoma e Tregtisë nënshkroi dhe marrëveshjen e bashkëpunimit me Unionin e Dhomave të Libisë.
“Është hera e parë që zhvillohet një forum i tillë biznesi me Libinë, dhe së dyti e konsideroj si një hap të rëndësishëm për ridimensionimin e marrëdhënieve tona në rrafshin ekonomik”, shpreh Jaka në fjalën e tij, duke shtuar se “si Dhomë e Tregtisë dhe Industrisë, gjykojmë se duhet promovuar fakti që Shqipëria ofron për bizneset libiane një kuadër ligjor të favorshëm dhe mundësi të shumta investimi dhe biznesi në energjetikë, infrastrukturë, transport dhe telekomunikacione” (ATSH).