Është zhvilluar në Tiranë aktiviteti në kuadër të përfundimit të kërkimit mbi organizimin sindikal të punonjësve të administratës publike në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).
Projekti i hulumtimit është zhvilluar në bashkëpunim e Konfederatës turke të sindikatave, Hak-İş dhe Sindikata e Nëpunësve Civil dhe Administratës Publike Shqiptare, ndërkohë projekti është mbështetur nga Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA).
Në këtë aktivitet krahas përfaqësuesve të sindikatave të ndryshme merrte pjesë kryetari i Përgjithshëm i Sindikatës turke Hak-İş dhe Hizmet-İş, Mahmut Arslan, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Eyüp Yavuz Ümütlü, etj.
Në një fjalim të mbajtur në këtë aktivitet, ish-kryetarja e Sindikatës së Nëpunësve Civilë dhe ndjekësja e këtij projekti, Entela Hysenllari tha se “Kishim shumë nevojë për një punim të tillë pasi në këtë pikëpamje ka mungesë të theksuar”.
Duke folur për projektin ajo ka thënë se janë munduar për të marrë një produkt sa më real dhe shtoi se për këtë arsye ata kanë shpërndarë rreth 500 punonjës në të gjithë Shqipërinë. Hysenllari ka thënë gjithashtu se ky hulumtim nuk është vetëm për sindikatën e tyre, por një punë që do t’iu shërbejë të gjitha sindikatave në Shqipëri dhe me gjerë.
Ndërkohë koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Ümütlü në fjalën e tij ka shprehur kënaqësinë për realizimin e një projekti të kësaj natyre.
“Ne realizojmë shumë projekte në sektorë të ndryshëm në Shqipëri. Një projekt i kësaj natyre është i rrallë në axhendën tonë. Produkti i këtij projekti është i rëndësishëm dhe kur shohim një produkt shumë të mirë të nxjerrë nga të dyja palët që janë angazhuar, jemi shumë të lumtur”, tha Ümütlü dhe më pas shtoi se shpreson që ky projekt të mos jetë fundi, por fillimi i realizimit të projekteve të shumta të ngjashme me të. Ai shprehu gatishmërinë për mbështetje për projekte të ngjashme.
Ndërsa në fjalën e tij kryetari i Konfederatës së Sindikatave Hak-İş dhe Himzet İş, Arslan falënderoi të gjithë ata të cilët kanë punuar për realizimin e një projekti të tillë të cilin e cilësoi si shumë të dobishëm.
Duke folur për Hak-İş, Arslan tha se është një nga konfederatat më të mëdha në Turqi. Duke vënë në dukje se marrëdhënia e tyre me sindikatat e Shqipërisë është shumë e zhvilluar, Arslan tha se veçanërisht me sindikatën e Administratës Civile kanë një marrëdhënie shumë më të mirë.
Arslan ka thënë se janë duke punuar për zhvillimin e bashkëpunimit të mëtejshëm të sindikatave turke me ato shqiptare. “Ashtu sikurse në të gjithë botën edhe në Turqi dhe Shqipëri pesha e sindikatave po bie. Për këtë arsye ne duhet të njohim më mirë fushën, të jemi më socialë, duhet të dimë më mirë pritshmëritë e punonjësve dhe të shtojmë bashkëpunimin ndërkombëtar”, tha Arslan.
“Për ne Shqipëria nuk është një shtet si gjithë shtetet e tjera. Kemi marrëdhënie shumë të mira dhe kemi më shumë shtetas shqiptarë se sa ka këtu. Ata janë vëllezërit tanë dhe për këtë arsye ne jemi partnerë natyralë. Çdo gjë që ndodh këtu na intereson. Ne jemi të lumtur me lumturinë tuaj dhe mërzitemi kur ju mërziteni”, tha ai dhe shtoi duke thënë se shpreson në përmirësimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ndërsa duke vënë theksin tek rëndësia e stabilitetit të Shqipërisë Arslan tha se shpreson që problemet politike do të zgjidhen sa më shpejt.
Arslan është ndalur edhe tek tentativa për grusht shteti në Turqi më 15 korrik. “Organizata terroriste FETÖ është shumë aktive në Shqipëri dhe kjo organizatë po mundohet të fusë përçarje mes Turqisë dhe Shqipërisë. Dua që miqtë tanë shqiptarë të dinë mirë që atë gjë që nuk arritën të bëjnë në Turqi mund ta bëjnë në Shqipëri. Iu bëj thirrje autoriteteve shqiptare që të marrin në konsideratë këtë gjë dhe të mos tolerojnë ata në këtë drejtim”, tha Arslan dhe më pas duke cekur edhe çështjen e referendumit të zhvilluar më 16 prill, ku tha se edhe ata si sindikatë kanë mbështetur fushatën pro ndryshimeve.
“Turqia tashmë është në një tjetër stad dhe unë shpresoj që marrëdhëniet mes do të zhvillohen edhe më shumë”, ka thënë ai në përfundim dhe më pas ka shtuar se Hak-İş do të vazhdojë të jetë edhe më prezente në Shqipëri./ AA