Shqipëria duhet ta lërë të qetë Maqedoninë e Veriut në rrugën e hapjes së negociatave

Para dy ditësh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama replikoi me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Pendarovski, duke e cilësuar kërkesën e tij që Maqedonia të ndahet nga Shqipëria kur vjen puna te negociatat me BE-në si jo praktike. Z. Rama i kujtonte Pendarovksit rolin e partive shqiptare, një mesazh ky që do të thotë se miqtë nuk duhen lënë në baltë.

Për çfarë është fjala dhe pse kryeministri nuk hapet? Prej më shumë se dy vjetësh tashmë, qëkurse Zoran Zaev u angazhuar për Marrëveshjen e Prespës dhe dha garanci për të drejtat e tjera në vend, BE-ja bëri ofertën se vendi do të hapte negocuatat menjëherë dhe do t’i sigurohej perspektivë në BE. E vetmja mënyrë për ta mbajtur Maqedoninë e Veriut të stabilizuar është mbajtja e saj nën kontroll dhe sigurimi i një perspektive.

Dhe Zaev e bëri punën e vet. Shpejt madje dhe me zhdërvjelltësi. Por vitin e kaluar, Tirana zyrtare loboi që hapja e negociatave të bëhej në bllok. Në fakt ky ishte interesi edhe i BE-së që nuk donte të linte më xhepa jashtë saj. Një mbrojtës i kësaj ideje ishte edhe ish-ministri i Jashtëm grek Kotzias, që në qershor të vitit 2018 do të vlerësonte se shkëputja e dy vendeve nga njëri-tjetri në procesin e integrimit do të krijonte bërthama destabilizimi. Kotzias nuk sqaronte sesi do të ndodhte një gjë e tillë, por fakt është se ato që pasuan japin një shpjegim.

Pas Marrëveshjes së Prespës duhej që të mbyllej edhe konflikti shqiptaro-serb dhe me këtë rast u pompua ideja e shkëmbimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës. Z. Rama luajti rolin e tij në këtë lojë, por pa u ekspozuar fare hapur. Ai po thoshte se Tirana zyrtare është e hapur për çdo ide dhe se Hashim Thaçi është njeriu që duhet mbështetur. Kujtojmë këtu rolin që mori Johannes Hahn në këtë proces fillimisht. Siç e dimë prej disa muajsh ideja e shkëmbimit të territoreve dhe një marrëveshjeje me Serbinë ka humbur rëndësinë e vet. Ata që flisnin për një shans historik tanimë janë ripozicionuar për të mos hapur më një diskutim që prodhon kosto të brendshme.

Në këto kushte Maqedonia e Veriut ka dhënë sinjale se nuk ka pse të paguajë për dështimin e tjetërkujt sidomos pasi firmosi Marrëveshjen e Prespës. Zgjerimi i BE-së në këtë zonë do të mund të marketohej brenda unionit vetëm nëse zyrtarët e Brukselit dhe politikanët e vendeve anëtare do të mund të kishin dy marrëveshje historike si lëndë të parë. Për Maqedoninë e Veriut e kanë, për shqiptarët jo. Le ta sjellim këtu qëndrimin e ish-Komisionerit Hahn për këtë situatë, mbajtur në Vjenë më 20 maj të këtij viti:

Maqedonia e Veriut është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka konflikte me fqinjët e vet dhe është më i stabilizuar sesa pjesët e tjera në rajon. Më pyesin vazhdimisht se kush do të hyjë i pari në BE i pari dhe përgjigja ime është përherë e njëjta: është një proces që bazohet mbi meritën…Në strategjinë  e KE-së për Ballkanin Perëndimor ne kemi theksuar qartë se nuk do të pranojmë anëtarë që kanë konflikte dypalëshe. Nuk jemi të gatshëm të importojmë konflikte

Është e qartë. Tirana zyrtare e ka ditur se Maqedonia e Veriut ka qenë e favorizuar, por ja doli ta mbante atë në qerren e vet për një vit duke premtuar zgjidhjen e konfliktit Shqipëri -Kosovë. Çka nuk ndodhi. Kjo ka sjellë faturë personale për z. Rama, ndërkohë që duhet thënë se edhe koniunkturat po ndryshojnë. Në Greqi më 7 korrik mbahen zgjedhjet dhe favorit është konservatori Kyriakos Mitsotakis, i cili prej disa ditësh kërcënon qeverinë e Shqipërisë se duhet të përmbushë detyrimet.

Qeveria e Shqipërisë pati fatin e qeverisë së Tsiprasit në Athinë, por e refuzoi ta pranonte atë si mundësi zhvillimi të marrëdhnieve. Tsiprasi la si trashëgim Prespën dhe Mitsotakis nuk duket se do të ngrihet kundër Marrëveshjes nëse vjen në qeveri. Ai po pozicionohet kundër qeverisë së z. Rama për arsye që mbeten ende të panjohura. Ndoshta roli i Tiranës zyrtare në krijimin e qeverisë Zaev është mbajtur shënim, por në çdo rast nuk është lajm i mirë që vendi ynë të ketë si shtesë edhe armiqësinë e deklaruar të Athinës përveçse ftohtësisë së përgjithshme të disa vendeve anëtare.

Sa për Maqedoninë e Veriut, ajo ka të drejtën e saj të kërkojë rrugën e vet të shkëputur nga një shtet i dështuar si Shqipëria që mesa duket e ka mbajtur peng, po aq sa edhe e ka ndihmuar. /respublica

s.zaimi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne