Shqipëria eksporton “agronomë” kanabisi edhe në Spanjë

NGA GJERGJI THANASI

Gjatë 6 viteve të fundit me zhvillimin e jashtëzakonshëm të degës së bujqësisë shqiptare, që merret me kultivim, përpunim-eksportim të kanabisit, normalisht që u formua edhe një sasi jo e vogël specialistësh të këtij sektori. Tashmë njëlloj si Kuba, që eksporton në vendet e Amerikës Latine dhe të Afrikës mjekë, inxhinjerë, mësues etj, ne po eksportojmë cep më cep të Europës “agronomë” kanabisi.

Këto 4-5 vitet e fundit, me dhjetra shqiptarë janë arrestuar në Angli, ndërsa kultivonin kanabis në sera e në ambjente të mbyllura. Në Holandë e në Belgjikë janë një dyzinë shqiptarësh të arrestuar për kultivim kanabisi vetëm gjatë vitit 2018 dhe në vazhdim të vitit 2019. Në Itali shqiptarët janë arrestuar duke kultivuar kanabis në ambjente të mbyllura, por me raste edhe në terrene të hapura, jo vetëm në veri, por edhe në zonën e Rexhio Kalabrisë në jug të Italisë. Punësimi i shqiptarëve nga Ndrangeta për të kultivuar kanabis në zonën e Malit Aspromonte është tregues i profesionalizmit të të lartë të bashkëatdhetarëve tanë përsa i përket kujdesit për bimën e kanabisit.

Më së fundi edhe Roja Civile (policia) spanjolle arrestoi një shqiptar 32 vjecar, që po mbathte me pleh organik një plantacion prej 2427 bimësh kanabisi të varitetit të quajtur vietnamez me cikël të shkurtër vegjetativ. Bimët ishin mbjellë afër Rezervuarit Santa Anna në Bashkinë e Noguera-s (Rajoni Autonom i Katalonjës). Për më shumë në linkun:

https://www.lavanguardia.com/local/lleida/20190710/463405469697/localizan-plantacion-marihuana-oculta-zona-forestal-embalse-santa-anna.html Kultivimi i kanabisit në Spanjë i nënshtrohet konkurencës së fortë të kanabisit të importuar nga Maroku me det e me ajër, ku pilotët tanë kanë dhënë dhe japin një kontribut jo të vogël në transportin me helikopterë tip multirol dhe me avionë ultra të lehtë. Është profesionalizmi i narkotrafikantëve dhe narkokultivatorëve shqiptarë, që arrijnë të konkurojnë kanabisin maroken në Spanjë, qoftë me kanabis shqiptar prodhuar në zonën e Lumit të Vlorës apo në Cudhi të Krujës, qoftë edhe duke e kultivuar atë në tokën spanjolle.

Nuk do as mend as kalem, që një eksport i tillë “agronomësh” kanabisi nuk do të ishte i mundur pa 6 vjet qeverisje të Skënderbeut të ministres Spiropali!/ Gazeta Impakt

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne