“Shqipëria është pjesë e familjes evropiane”

Në Tiranë u zhvillua ceremonia zyrtare e nisjes së punës së operacionit të Agjencisë së Rojeve Kufitare dhe Bregdetare të Bashkimit Evropian (Frontex) në Shqipëri, që ka në fokus menaxhimin e kufijve.

Shqipëria është vendi i parë në rajon që nënshkruan me Bashkimin Evropian (BE) marrëveshje të këtij formati, e cila synon rritjen e luftës ndaj krimit, trafikut të qenieve njerëzore dhe migracionit të parregullt.

Në lidhje me këtë operacion, u mbajt një konferencë e përbashkët për mediat e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Komisionerit të BE-së për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos dhe drejtorit Ekzekutiv të Frontex-it, Fabrice Leggeri.

“Marrëveshja, një moment i thellimit të bashkëpunimit mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor”

Në fjalën e tij Rama tha se kjo marrëveshje është e para e BE-së me vende jo anëtar në fushën e mbrojtjes së kufijve të jashtëm.

“Marrëveshja e vendos Shqipërinë në një pozicion të veçantë si kontributore në mbrojtjen e kufijve të BE-së nga emigracioni i paligjshëm. Nga ana tjetër na jep një mundësi të artë për të forcuar bashkëpunimin me Frontex edhe në funksion të luftës kundër krimit të organizuar, duke qenë të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e suksesit në këtë nismë që në vijim do të pasohet nga të tjera në të tjera vende të rajonit”, u shpreh Rama.

Sipas Ramës, kjo marrëveshje është një moment i thellimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Avramopoulos: Shqipëria është pjesë e familjes evropiane

Ndërsa Komisioneri i BE-së, Avramopoulos, në fjalën e tij tha se ky aktivitet është një gur i rëndësishëm themeli sa i përket bashkëpunimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ne jemi sot të gjithë këtu për të inauguruar një kapitull të ri të bashkëpunimit sa i takon migrimit dhe menaxhimit të kufijve. Nesër do të kemi skuadrat e para të kufirit dhe të rojës bregdetare evropiane që do të vendosen në Shqipëri. Ato do të mbështesin rojën bregdetare shqiptare me pajisje si dhe me staf në pikat kyçe të kufirit me Greqinë”, u shpreh Avramopoulos.

Sipas tij, ky është një hap historik. “Kur flitet për menaxhimin dhe mbrojtjen e kufijve tanë, sfidat me të cilat ne hasemi janë të përbashkëta dhe përgjigja jonë duhet të jetë një reagim i përbashkët”, shtoi komisioneri evropian Avramopoulos.

Më tej gjatë fjalës së tij, Avramopoulos theksoi se Shqipëria është pjesë e familjes evropiane në aspektin historik.

“Ky bashkëpunim është një pikë kthese në mënyrën se si e menaxhojmë migracionin dhe kufijtë bashkërisht. Marrëveshje të ngjashme me Frontex janë negociuar edhe me Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi”, përfundoi Avramopoulos.

Drejtori Ekzekutiv i Frontex-it, Fabrice Leggeri, tha se agjencia ka ndihmuar autoritetet kufitare në kufijtë e jashtëm të BE-së për rreth dy vite.

“Ne kemi punuar ngushtësisht me Shqipërinë për një dekadë të tërë, duke filluar që në 2009. Sot ky bashkëpunim shkon në një nivel shumë të lartë. Duke filluar që prej ditës së nesërme do të kemi 50 nëpunës të Frontex, që do të punojnë me kolegët e tyre shqiptarë në kufirin e Shqipërisë me Greqinë. Misioni i këtij bashkëpunimi është kontrolli i flukseve migratore, lufta kundër krimit ndërkufitar, lufta kundër trafikut të njerëzve, etj”, theksoi Leggeri.

Marrëveshja Shqipëri-Frontex është nënshkruar në tetor të vitit 2018, ndërsa i mundëson Frontex-it, të nisë operacione për të ndihmuar për trajtimin e migracionit të parregullt dhe krimit ndërkufitar. Operacioni i përbashkët do të fillojë më 22 maj në kufirin Shqipëri-Greqi./ (Anadolu Agency AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne