“Shqipëria nuk ka asnjë rast me koronavirus”, Manastirliu: 31 raste kanë rezultuar negativ

Shqipëria nuk ka asnjë rast me koronavirus. Nga foltorja e Kuvendit, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se deri tani në Shqipëri janë testuar 31 persona, të cilët kanë rezultuar negativ me virusin e ri covid 19.

“Shqipëria nuk ka asnjë rast të prekur të konfirmuar nga koronavirus. Janë realizuar disa teste laboratorike në raport me persona, të cilët kanë shfaqur simptoma.

Janë 31 të testuar që kanë rezultuar negativ sa i përket prekjes nga koronavirusi i ri”– u shpreh ministrja Manastirliu.

Ministrja tha se kanë rritur masat për identifikimin e koronavirusit. Ajo shpjegoi se analiza kryhet në ISHP brenda një periudhe 8-12 orë. Manastirliu vuri theksin tek higjiena.

“Është vendosur shtimi i masave higjieno sanitare në pikat kufitare dhe në institucionet arsimore dhe në strukturat e tjera publike. Masat që kemi marrë në strukturat arsimore janë të rëndësishme pasi shtimi i masave të higjienës sanitare dhe higjienës personale është element shumë i rëndësishëm në parandalimin e virusit”, deklaroi ministrja./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne