Shqipëria po zhytet në plehra

Vetëm pesëmbëdhjetë kilometra nga qendra e kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës, rreth tre mijë familje janë rrethuar nga flakët. Ndonëse në një stinë të nxehtë me temperatura të larta, shkaku i zjarrit është i pazakontë: këtu, në fushën e Argjenaturës, po digjet një mal i lartë me plehra.

Kjo është mënyra e preferuar e Bashkisë së re të Kamzës për të menaxhuar mbetjet e saj urbane.

Dikur një fushë pjellore pranë lumit Tërkuzë, Argjenatura ka kohë që është shndërruar në një vend depozitimi mbetjesh. Një pjesë, jo e vogël, përfundon në lumë. Banorët përreth, ankohen për erën e keqe dhe ndotjen, por gjithçka vazhdon si më parë, apo shpërfillet, ndaj dhe një pjesë e tyre, sot ka dalë në rrugë për të protestuar.

Por Kamza nuk është e vetmja bashki që vepron kështu.

Berati, një qytet turistik në jug të Shqipërisë, zyrtarisht Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, gjithashtu e ka pozicionuar vendepozitimin e mbetjeve urbane pranë një lumi. Osumi, i famshëm për kanionet e tij, është pa dyshim një tjetër lum i ndotur. Një pjesë e mbetjeve të qytetit përfundon në brigjet e tij. Shumica e të gjitha venddepozitimeve në vend, janë vendosur pranë shtretërve të lumenjve.

Tokat pranë lumenjve kanë qenë të lira dhe djegja e mbetjeve pranë tyre nuk u kushton asnjë shpenzim autoriteteve të këtij vendi të varfër.

Por në të vërtetë po digjen miliona fitime të ardhshme! Ndërsa djegja po helmon burime natyrore të rëndësishme!

Mbetjet dalin jashtë kontrollit të shtetit

Shqipëria është një prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ndonëse vendi ka bërë disa përparime në fushën ekonomike, kapacitetet admininistrative, veçanërisht në fushëm e menaxhimit të mbetjeve, kanë rezultuar të dështuara.

Zyrtarët kanë raportuar se niveli i riciklimit të mbetjeve është në përputhje me objektivat e kërkuara për t’u përmbushur nga BE, por ata po fshehin një të vërtetë të frikshme: shërbimet publike të menaxhimit të mbetjeve po kontrollojnë gjithnjë e më pak mbetje në vend, ndërkohë që sasia e mbetjeve rritet vit pas viti.

Sipas të dhënave të fundit të vlefshme, të publikuara prej Institutit të Statistikave, në vitin 2013, një në çdo pesë tonë mbetje nuk mblidhej prej shërbimeve publike. Dy vjet më pas, ne vitin 2015 sasia e pambledhur nga shërbimet publike u rrit në dy tonë për çdo pesë tonë mbetje. Ndërkohë, sistemi zhytej nën peshën e shtuar të mbetjeve.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne