Shqiperia

“Shqiptarët kanë parcelat e kokainës në Amerikën Latine”

Fabian Zhilla, studiues dhe ekspert i Kriminalistikës, mendon se grupet kriminale shqiptare kanë arritur të krijojnë parcelat e tyre të blerjes së kokainës në Amerikën Latine.

Në Ora News, Zhilla u shpreh i sigurtë për ekzistencën e karteleve shqiptare në vende si Kolumbia apo Ekuadori.

“Ne nuk dimë sa kartele shqiptare kanë plantacionet e tyre në Amerikën Latine. Unë mendoj që ka, por nuk dimë numrin e karteleve. Nuk dimë sa kartele janë dhe si operojnë. Pra është një kartel që furnizon grupet shqiptare këtej, apo secili nga kartelet shqiptare ka parcelat e veta”, tha ai.

Sipas Zhillës, rrezja e veprimit të karteleve shqiptare, shtrihet gjerësisht në Europë.

“Mendoj që kemi kartele të ndryshme shqiptare që operojnë Itali dhe grupe shqiptare që operojnë në Gjermani dhe Britaninë e Madhe”, u shpreh eksperti.

Forma e transportit, duke përdorur edhe Maltën tregon se kemi të bëjmë edhe me një kartel kokaine në shqipëri, që nuk është hera e parë. Studiuesi shton se në këtë rast policia duhet të priste, që të kapeshin organizatorët, pasi kokat e trafikut nuk u arrestuan.

“Do të duhej të pritej të kapej, le të themi deri ku shkonte dhe kush ishin organizatorët le të themi, sepse një kapje e tillë siç e shikoni, janë kapur thjesht shoferët dhe nuk janë kapur kokat”, tha ai.

Së fundmi, Zhilla shtoi se sasi të tilla kokaine nuk kalojnë pa mbëshetje të fortë nga segmentet shtetërore.