“Shqiptarët me kafka të rrafshëta”, shkrimi skandaloz i revistës zviceriane

“Udhëtojnë pesë veta tok me Mercedesë të zinj, kanë kafka të rrafështa në pjesën e pasme dhe thonë fjali, të cilat janë aq të thjeshta sa kokat e tyre tullace”

Mbi një shkrim skandaloz të së përjavshmes së Zürichut «Weltwoche».

Revista «Weltwoche» e Zürichut në numrin më të ri ka botuar të enjten një tekst për një këngëtare të quajtur Loredana, e cila është me origjinë shqiptare. Pra, shqiptare zvicerane. Ajo qenkësh rritur në Zvicër, më saktë në Emmenbrücke afër Luzernit. Loredana përshkruhet si reperja më e suksesshme që këndon në gjermanisht. Me një milion ndjekës në mediat sociale. Katër këngët e saj kanë gjeneruar 76 milionë «streams». Por, Loredana (Zefi) në këtë tekst shërben vetëm si kukull, të cilën autori e stolis me të gjitha paragjykimet, klishetë, stereotipat që qarkullojnë kundër shqiptarëve në ambientet e errëta të shoqërisë zvicerane.

Teksti i «Weltwoche», mes tjerash, vlon nga fjalori vjellës, përbuzës, ksenofob. Ky fjalor kulmon në formulimin: «Shqiptarët në botën e jashtme nuk e kanë lehtë, sepse përherë maten me ata pjesëtarët e përhershëm të shtresës së ulët, që udhëtojnë pesë veta tok me Mercedesë të zinj, kanë kafka të rrafështa në pjesën e pasme dhe thonë fjali, të cilat janë aq të thjeshta sa kokat e tyre tullace. Ata mendojnë se janë njerëzit më cool në botë, se vajzat i presin vetëm ata dhe se një thikë thotë më shumë se një mijë fjalë».

U mbetet juristëve të specializuar në çështje mediale nëse një formulim i tillë është shkelje apo jo e ligjit kundër racizmit, por gjithsesi kjo gjuhë e «Weltwoche» tregon për një aversion primitiv kundër komunitetit shqiptar. Ky aversion është parë edhe pas ndeshjes së futbollit mes Zvicrës dhe Serbisë në Kaliningrad vitin e kaluar, gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit. Futbollistët shqiptarë janë reduktuar në mercenarë nga Ballkani, që nuk identifikohen me Zvicrën dhe bëjnë politikë ballkanike në fushën e blertë, duke bërë gjestin me shqiponjë.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne