Rajoni

Shqiptarët në Mal të Zi të pakënaqur nga përfaqësimi në institucionet e shtetit

Shqiptarët në Mal të Zi janë të pakënaqur nga përfaqësimi në institucionet shtetërore.

Nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu deklaroi sot se megjithëse Kushtetuta u garanton bashkësive të pakicave kombëtare të drejtën e përfaqësimit autentik në kuvendin shtetëror dhe lokal, në përputhje me parimin e veprimit afirmativ, si dhe të drejtën e përfaqësimit proporcional në shërbimet publike, autoritetet shtetërore dhe vetëqeverisjen lokale, shqiptarët në Mal të Zi janë të pakënaqur me mënyrën e zbatimit të kësaj të drejte.

Në konferencën e sotme, Nimanbegu foli për problemin e mosfaqësimit të shqiptarëve në komunat e Plavës dhe Gucisë, me theks në institucionet shtetërore. Ai tha se nga gjithsej rreth 700 të punësuar në institucionet shtetërore në Plavë dhe Guci, janë punësuar rreth 30 shqiptarë, kryesisht në arsim.

“Ne kemi kontaktuar me krerët e institucioneve shtetërore dhe autoritetet për të marrë informacione nga këto institucione dhe për të krahasuar të dhënat e tyre me të dhënat e marra nga aktivistët tanë”, tha Nimanbegu.

“Bazuar në informacionet e mara, arritëm në përfundimin se institucionet më të rëndësishme ku përfaqësimi i shqiptarëve është minimal janë Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Brendshme, ajo e Punës dhe Mirëqenies, Drejtoria e Inspektimit, Administrata Pyjore, Shërbimi i Punësimit dhe Parku Kombëtar Bjeshkët e Nemuna”, tha ai.

“Drejtuesit e organeve dhe institucioneve shtetërore të cilëve iu adresuam, në përpjekje për të mbuluar situatën zhgënjyese në punësimin e shqiptarëve, ‘nxirren në konstatimet kushtetuese dhe ligjore të individëve, të drejtat e tyre për mos deklarim të përkatësisë kombëtare’. Se situata është zhgënjyese tregon punësimi i shqiptarëve në Policinë Kufitare, në Gjykatën Themelore dhe të Kundërvajtjes, Prokurori, Drejtorinë e Inspektimit, Shërbimi i Punësimit, Qendra për Punë Sociale, Drejtoria e Taksave dhe Pasurive të Patundshme, Zyra e Postës dhe Parqet Kombëtare”, theksoi Nimanbegu.

Ai tha se në lidhje me problemin kishte njoftuar zyrtarët e shtetit.

“Asnjë institucion nuk ka një plan, asnjë propozim, për të eliminuar diskriminimin e qartë ndaj shqiptarëve në këto zona deri më tani”, tha Nimanbegu.

I pyetur për gjendjen në nivelin shtetëror dhe nëse koalicioni qeverisës kishte ndonjë marrëveshje me partnerët për punësimin, ai tha se, sipas të dhënave të vitit 2015, midis 1 dhe 2 për qind të shqiptarëve ishin të punësuar.

“Unë po kërkoj përgjigje institucionale, jo një marrëveshje në mënyrën që të punësohen disa shqiptarë në bazë të një marrëveshjeje politike”, theksoi Nimanbegu.

Ai shtoi se brenda koalicionit qeverisës kanë një marrëveshje në lidhje me pozicionet drejtuese dhe se kjo nuk ndikon në përqindjen e punësimit./AA

OPINIONE