Shqiptari, koka e organizates kriminale në Malin e Zi. Ja pasuritë që sekuestrohen

Prokuroria ka njoftur sot sekuestrimin e shtatë pasurive të paluajtshme në Bajzë, njësia Kastrat, bashkia Malësi e Madhe.

Dosja e plote 



Pas disa muajsh hetime të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë Hetimore të Task- Forcës Speciale Qendrore në Policinë e Shtetit, sot më datë 18.05.2018, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Shkodër, e cila pas kërkesës së organit të Prokurorisë kishte vendosur sekuestron preventive të 7(shtatë) pasurive të paluajtshme, tokë me sipërfaqe rreth 15500 m2 dhe ndërtesa social-ekonomike me sipërfaqe rreth 450 m2, ku përfshihen Bar-Restorant, Hotel “Kavaliero”, Lavazh dhe Dyqan Cigaresh, në fshatin Bajzë, njësia Administrative Kastrat, bashkia Malësi e Madhe, në pronësi të shtetasit Ndue Vasel Pepaj dhe familjarëve të tij.

Sekuestrimi u krye në funksion të hetimeve të  procedimit  penal të vitit 2018,  për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Bazë për fillimin e këtij hetimi ka shërbyer njoftimi i ardhur nga autoritetet e Mali të Zi më 17 dhjetor 2017.

Atë ditë, 17 dhjetor 2017, rreth orës 16.00, autoritetet malazeze në kuadrin e operacionit “Mashtrim” (“Trick”), arrestuan 12 persona, përfshi shtetasin shqiptar Ndue Vasel Pepaj, banues në Bajzë, Malësi e Madhe, si kreun e një organizate kriminale që vepronte në Mal të Zi dhe që merrej me trafikimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.

Gjatë këtij operacioni janë gjetur dhe konfiskuar 982 kg marijuanë, 1,7 kilogram heroinë dhe rreth 3 kg përzierës.

Sipas policisë malazeze, kjo organizatë kriminale dyshohet se kishte vepruar për një periudhë të gjatë kohore dhe veçanërisht aktive ka qenë që nga 01 janari 2016 në trafikimin dhe shitjen e lëndëve narkotike në nivel ndërkombëtar.

Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim edhe me Prokurorinë Speciale të Malit të Zi,  përfaqësues të së cilës u takuan me autoritetet ditën e fundit në Prokurorinë e Shkodrës në funksion të hetimit të kësaj çështje dhe të ekzekutimit të Letër-Porosive së kërkuara në mënyrë reciproke nga autoritet gjyqësore të të dy shteteve.

Hetimi dhe sekuestrimi i aseteve është bërë pasi dyshohet se këto pasuri janë produkt i veprimtarisë kriminale  të trafikimit të narkotikëve, të kryer nga shtetasi Ndue Vasel Pepaj.

Më pas shtetasi Ndue Vesel Pepaj këto pasuri i ka ricikluar duke i tjetërsuar në emër të përsonave të tjerë, sidomos në emër të motrës, dhëndërrit dhe dajës së tij.

Zbatimi i vendimit të gjykatës për ekzekutimin e sekuestrimit u bë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, Drejtorinë e Hetimit Tatimor Shkodër dhe Agjencinë e Menaxhimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e cila mori në administrim pasuritë e sekuestruara.

Hetimet për këtë çështje vazhdojnë, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne