Shtëpia muze e Vëllezërve Frashëri i nënshtrohet restaurimit

Shtëpia muze e vëllezërve Frashëri, monument kulture i kategorisë I, e ndodhur në hyrje të fshatit me të njëjtin emër në qytetin e Përmetit, do t’i nënshtrohet restaurimit gjatë kësaj vere.

Projekti për rijetëzimin e këtij monumenti kulture është hartuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës në Shqipëri, si pjesë e kalendarit të restaurimeve të “Vitit të Skënderbeut”, i cili është miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve.

Për restaurimin e monumentit të quajtur “Shtëpia e Vëllezërve Frashëri” janë parashikuar ndërhyrje në restaurimin e çatisë, dyerve dhe dritareve në përgjithësi, eleminimin e çarjeve në fasadë, restaurimin e dyshemeve dhe riparime në suvatime. Gjithashtu do të bëhet sistemimi i terrenit përreth.

Kjo shtëpi muze është ndërtuar në vitin 1974 mbi rrënojat e banesës së vjetër të shkatërruar. Ajo u rikonceptua si një përmbledhje e historikut të zonës, e veprimtarisë së tre rilindasve dhe është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kombëtare.

Me ringritjen e saj, është bërë përpjekje për ruajtjen e origjinalitetit të volumit fillestar duke shtuar elemente të reja si ndërkate e tavane druri dhe oxhakët nëpër dhoma.

Disa nga dhomat e kësaj shtëpie muze pasqyrojnë mënyrën e jetesës së kohës duke ekspozuar orendi të vjetra të mbledhura edhe nga banorë të zonës.

Interesi për këtë banesë duket se është jo i pakët, për vetë rëndësinë dhe historinë që ajo ka. Shtëpia muze përmban në fondin e saj libra e dorëshkrime të Vëllezërve Frashëri, ku mund të veçojmë disa botime origjinale të Sami Frashërit, një shkrimtar, gjuhëtar dhe enciklopedist me rëndësi madhore gjithashtu për Turqinë. /ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne