“Shtëpia ra nga tërmeti, jetoj në barakë me dërrasa, qytetari në Kombinat: Bashkia nuk më ka ndihmuar

Kombinati në Njësinë Administrative nr 6, ishte një nga zonat më të prekura në Tiranë nga të dy tërmetet e shtatorit dhe nëntorit 2019.

Që atëherë, tashmë një vit më pas, shumë banorë ende nuk kanë gjetur zgjidhje nga shteti për banesat e tyre.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ishte në familjen e Nikë Prendit të cilit shtëpia i është shkatërruar plotësisht që në tërmetin e parë, në 21 shtator.

Ai ende sot banon në një barakë të cilën e ka ndërtuar me dërrasa që i kanë falur komshinjtë, pasi siç thotë ai, bashkia nuk i ka dhënë as një çadër.

Edhe pse ai bashkë me bashkëshorten janë dy të moshuar të sëmurë dhe me ilaçe, jetojnë jashtë çdo kushti normal.

Nikë Prendi thotë se i ka humbur shpresat tek shteti pasi ka një vit që endet dyerve të bashkisë por askush nuk i ka ardhur në ndihmë.

Nikë Prendi: Unë jam Nikë Prendi, që në shtator më është prishur shtëpia nga tërmeti dhe kërkoj ndihmë nga shteti që të më ndihmojë.

Ina Zhupa: E pabanueshme?

Nikë Prendi: Shtëpia e pabanueshme, atje kam jetuar gjithë jetën.

Ina Zhupa: Po, a ju kanë ndihmuar, ju kanë sjellë ndihma, ju kanë dhënë bonus?

Nikë Prendi: Vetëm më kanë pru njëherë ndihma, ai i bashkisë.

Ina Zhupa: Po bonusin përsa i përket rregullimit të shtëpisë?

Nikë Prendi: Bonusin jo akoma.

Ina Zhupa: Ku jeton tani ti?

Nikë Prendi: Ja këtu banoj.

Bashkëshortja e Nikë Prendit: Unë gatuaj këtu me bombol gazi kur është nxehtë, mbrapa do ndezi sobën. Krevatin aty, rrobat i kam atje përtej. Drutë janë jashtë, ça të bëjmë kështu është. Shtëpia ra përdhe, ku të shkojmë?!

Ina Zhupa: Këtë barakën ku e ke gjetur?

Nikë Prendi: Këtu, kam blerë dërrasat edhe më kanë dhënë komëshinjtë, më kanë falur pak.

Ina Zhupa: Shtëpia juaj ndërkohë është e pabanueshme?

Nikë Prendi: Është e pabanueshme, nuk jetohet brenda.

Ina Zhupa: Po çadër ju ka dhënë bashkia?

Nikë Prendi: Kam qenë 50 herë te bashkia, te emergjencat dhe nuk më ka ndihmuar njeri hiç. Më njohin të gjithë atje, i kam bezdis.

Ina Zhupa: Çfarë ju kanë thënë për shtëpinë? Do shembet?

Nikë Prendi: Do e bëjmë, do e bëjmë. I kam bërë letrat unë, nuk e di.

Ina Zhupa: Deri tani nuk keni marrë lekë për të rindërtuar shtëpinë tuaj me fondet e rindërtimit?

Nikë Prendi: Jo, jo asgjë! Akoma jo! Ne presim nga shteti por nuk ka shtet këtu. Unë kam frikë, kam frikë se s’do ma bëjnë shtëpinë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne