Shqiperia

Shtetësi për fëmijët e huaj që lindin këtu, Shqipëria s’është gati

Fëmijët që lindin në Shqipëri, të cilët i kanë të dy prindërit të huaj, nuk mund të marrin shtetësi shqiptare. Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, e cila është edhe kryesuesja e grupit të punës për hartimin e projektligjit të ri për shtetësinë, deklaron për Tema TV se Shqipëria nuk është gati.

Janë vende me demokraci shekullore dhe ende nuk janë ndier të gatshme për ta përfshirë këtë lloj fitimi shtetësie në kriteret ligjore të fitimit të saj. Kështu që edhe ne menduam që Shqipëria, një vend me demokraci 27-vjeçare mendojmë të mbajmë linjën e përgjithshme të vendeve të BE-së duke mos e përfshirë këtë lloj mënyre fitimi në kriteret ligjore të përfitimit të saj”, shprehet Voda.

Zonja Voda nuk dha shumë detaje për këtë vendim, por TemA TV pyeti burimet dhe mësoi se Shqipëria druhet nga fluksi i ardhjeve nga Turqia, Siria apo Kina dhe se vendi ynë nuk është në gjendje që t’i mbajë nën kontroll.

Sipas Zonjës Voda, nga ana tjetër, ndryshimi i ligjit për shtetësinë sjell një sërë zgjidhjesh për probleme të ndryshme. Kështu, nëse projektligji miratohet, zgjidhet problemi i fitimit të shtetësisë në bazë të origjinës. Më parë, kjo ishte parashikuar me VKM.

Tashmë, fitimi i shtetësisë përmes origjinës është futur shprehimisht në ligj si një nga mënyrat e fitimit të shtetësisë. Sigurisht që VKM ekzistues, do të shfuqizohet. Është menduar që ky projektligj i ri do të zgjidhë problematikat e mosregjistrimit në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile të vitit 2010 të personave që kanë fituar shtetësinë shqiptare me dekret”, thotë Voda.

Projektligji i ri u jep mundësi qytetarëve, që brenda dy viteve, nëse një shqiptar lë shtetësinë për një shtetësi tjetër dhe më pas nuk pajiset me të, ai mund të riaplikojë për shtetësinë shqiptare.

Një person që aplikon në një shtet tjetër për të fituar shtetësinë dhe ndërkohë e ka humbur shtetësinë shqiptare, mund ta fitojë automatikisht brenda dy vitesh nëse nuk ka marrë shtetësinë në shtetin tjetër. Pra, mund të bëjë kërkesë dhe brenda dy viteve automatikisht e merr prapë”, thotë Voda.

Ligji u jep mundësinë të pajisen me shtetësi shqiptare edhe fëmijëve që kanë dy prindër shqiptarë, por që ka lindur në një shtet tjetër.

Ne kemi parashikuar që automatikisht këta fëmijë të lindur nga prindër shqiptarë të regjistrohen si shtetas shqiptarë në regjistrin e gjendjes civile”, shpjegon Voda.

Të drejtën për të marrë shtetësinë shqiptare e kanë edhe të huajt që plotësojnë kushtet ligjore. Sipas Vodës, ka dy kategori: me natyralizim dhe refugjatët. Refugjatëve u duhet më shumë kohë për të fituar shtetësinë shqiptare.

Për shtetas të huaj janë 2 kategori të veçanta: kemi shtetas të huaj të cilët nuk janë shtetas kategori e parashikuar e Konventës së Gjenevës; ndërsa këta shtetasit e huaj që kanë fituar statusin refugjatë apo atë të mbrojtjes plotësuese, janë shtetas të huaj por që janë subjekt i Konventës së Gjenevës”, thotë ajo.

Drafti aktual nuk është finali. Aktualisht, dokumenti ndodhet në Këshillin e Ministrave, ku pritet të marrë edhe disa rekomandime të tjera.

OPINIONE

INTERVISTA