Shteti nuk e bën dot, por si të kuptojmë kur një makine i kanë manipuluar kilomtetrazhin

Ndotja në mjedis që krijojnë makinat e vjetra nxiti vendimin e qeverisë për të mos lejuar importin e makinave të prodhuara përpara 2005-ës. Por sipas ekspertëve të sigurisë rrugore, vetëm viti i prodhimit të mjetit nuk mjafton. Kilometrazhi është një tjetër faktor ndotës që duhet konsideruar, sidomos kur ai manipulohet.

“Ndryshimi i kilometrave është një nga të dhënat më të rëndësishme me efekt negativ në ndotjen e ambientit të mjetit që futet në Republikën e Shqipërisë. Nuk mund të kontrollohet nga dogana, nuk ka asnjë aparaturë”, – thotë eksperti Fatmir Hasho.

Në sistemin online të krijuar nga Drejtoria e Transporteve, qytetarët mund të verifikojnë disa të dhëna duke përdorur targën apo shasinë e mjetit që duan të blejnë nga jashtë.

“Ne nuk është se kemi ndonjë akses më shumë sesa ju kemi dhënë qytetarëve. Për targën, vendoset targa dhe del kategoria mjedisore të cilës i përket, duke qenë se në Shqipëri lejohet Euro4 është e rëndësishme për regjistrimin. Kur përdorim shasinë ku do dalin të dhëna për ngjyrën e mjetit, nëse është manual apo automatik, më poshtë del skeda për muajin, vitin dhe datën e prodhimit”, – shprehet drejtoresha e DPSHTRR, Ema Koçi.

Për kilometrazhin nuk del asnjë e dhënë. Ka vetëm faqe ku individët paguajnë një tarifë për t’u njohur me historikun e makinës.

“Paketa e kilometrazhit është individuale, që e marrin vetë individët”.

Për ekspertët, ky verifikim vlen vetëm për firmat serioze, në një kohë që manipulimi i kilometrazhit ndodh kryesisht nga individët.

“Këtu flasim vetëm për firma serioze, po jo të gjitha janë serioze dhe jo të gjitha të dhënat i hedhin në internet”.

Tregtarë apo individë të ndryshëm i ulin kilometrat e automjeteve që tregtojnë, me qëllim përfitimin. Ata mashtrojnë qytetarët që i blejnë, duke u shkaktuar edhe atyre dëme financiare, pasi i blejnë automjetet jo në vlerën reale që kanë, bazuar në kohën dhe mënyrën e përdorimit. Por si mundet një qytetar të kuptojë hilet e kilometrave të ndryshuara?

“Të kërkojnë fletoren e shërbimit të mjetit ku janë të dhënat e kilometrave për shërbimet që janë kryer. Nëse ka fletë të grisura apo servisi ka mbetur 3 vjet para kohës kur do blini mjetin, të jeni të sigurt që ka ndryshim të kilometrave. Ky ndryshim kilometrash mund të kryhet në një servis të specializuar kundrejt një pagese, përpara se të nënshkruhet kontrata”.

Ndonëse nisma e marrë kundër ndotjes së mjedisit është një përpjekje pozitive, sërish shteti shqiptar nuk ka mundur të parashikoje shkaqet dhe hilet e tjera./lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne