“Shteti palestinez tani duhet njohur”

Neoklis Sylikiotis, kryetar i Delegacionit për Marrëdhënie me Palestinën pranë Parlamentit Evropian (PE), ka thënë pas shpalljes së dokumentit politik të Hamsit se Palestina tanimë duhet njohur me kufijtë e vitit 1967.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), Sylikiotis e ka cilësuar si tejet të rëndësishëm dokumentin e ri të principeve të Hamasit.

“Shpresoj që ky dokument të kontribuojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Hamasit dhe Fatahut dhe të lehtësojë ndërtimin e unitetit kombëtar të Palestinës”, thotë Sylikiotis.

Sipas Sylikiotis, dokumenti i ri politik i Hamasit mund të ndihmojë në heqjen e bllokadës ndaj Rripit të Gazës, të cilën Izraeli e zbaton që prej 11 vitesh.

“Është e nevojshme t’i jepet fund kësaj bllokade që ka prodhuar rezultate tragjike dhe ka prekur mijëra persona”, konsideron Sylikiotis.

“Shteti palestinez duhet njohur”

Sylikiotis më tej vlerëson se shteti palestinez tanimë duhet njohur.

“Ne si delegacion i PE-së për Palestinën themi që shteti palestinez tanimë duhet njohur. Nëse anëtarët e BE-së mbështesin zgjidhjen me dy shtete për problemin izraelito-palestinez, atëherë ato duhet ta njohin shtetin palestinez me kufijtë e vitit 1967”, thekson Sylikiotis.

Në këtë drejtim, Sylikiotis është i mendimit se vizioni i ri politik i Hamasit mund të kontribuojë në zgjidhjen e problemit. Ai thekson se Evropa duhet ta detyrojë Izraelin t’i ndalojë aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve ilegale në territoret e okupuara palestineze dhe ta nxisë atë për zgjidhje me dy shtete.

Ai thekson se delegacioni i PE-së për Palestinën është i mendimit se “zgjidhja me dy shtete rrezikohet”, andaj “BE-ja duhet vepruar urgjentisht për zgjidhjen me dy shtete”.

Sylikiotis tërheq vëmendjen duke thënë se BE-ja duhet ta ndihmojë Palestinën, ndërsa zyrtarët palestinezë të përpiqen intensivisht për arritjen e unitetit.

Ndryshe, në fillim të javës, lideri i Hamasit Halid Meshal shpalosi në Doha dokumentin e ri politik dhe vizionin e Hamasit, i cili erdhi si përditësim sipas rrethanave ndërkombëtare i dokumentit të themelimit të Hamasit të 18 gushtit të vitit 1988. Dokumenti përmban 42 pika, ndërsa me të Hamasi pranon shtetin palestinez sipas kufijve të vitit 1967./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne