Shteti i Ramës është qëllim, ndaj është kundër njerëzve dhe biznesit

Nga Fitim Zekthi

Pavarësisht se kryeministri Rama është duke u përpjekur dëshpërimisht të ndryshojë termat e debatit politik për të shmangur çështjen e trafikut të drogës, të lidhjes së mundshme të anëtarëve të qeverisë së tij me këtë trafik dhe me trafikantët, ai jo vetëm nuk mundet ta shmangë këtë çështje por po e kërkon shmangien e saj duke zbuluar se çfarë janë në thelb dy nga pikëpamjet bazë të tij mbi politikën. Ai në një nga përpjekje u vesh me brekushe, sipas stilit të një ylli mode si Yamamoto dhe në një tjetër propozoi se do të vendoste kontroll të plotë të shtetit ujin duke detyruar gjithkënd që të paguante faturat. Ai tha se do të vendoste matësa apo sahate edhe për puset të cilat njerëzit i kanë hapur në oborret e shtëpive prej vitesh apo dekadash dhe me shumë shpenzime. Këto dy përpjekje është në fakt Rama, ose gjithë çka është Rama në politikë janë këto dy përpjekje. Ai nuk mundej në një moment të dëshpëruar politik, kur i ka rënë gjithë ngrehina, narrativa e luftës kundër krimit, kundër drogës, kur qeverisja për gjithkënd nuk ka më asnjë ide dhe energji për të ofruar diçka, të mos shkonte (ndoshta e çoi nënvetëdija) tek ato që janë tipari i tij më përkufizues: politika e spektaklit dhe miti i shtetit të cilat janë njëherazi edhe dy nga tiparet kryesore të së majtës radikale apo totalitariste. Ndoshta fakti që ai zgjodhi të shfaqet me këto tipare është edhe më problematik se sa problemet me drogën, trafikun, lidhjet e dyshuara me krimin të qeverisë së tij pasi është kjo mënyrë të menduari që prodhon këtë lloj qeverie. Ai nuk doli të tërhiqte vëmendjen me një politikë të uljes së taksave apo të nxitjes së një roli më të madh të fesë në jetën e vendit, por me më të thekshmet tipare të së majtës dhe totalitarizmit. Shteti për një mendësi të majtë radikale është qëllim në vetvete. Ky lloj shteti shihet qëllimi më i lartë i jetës njerëzore. Për këtë lloj shteti individët janë vetëm pjesë të tij dhe jo si qenie me të drejta individuale të ndara. Ky shtet nuk i shërben individit por individi i shërben shtetit, siç gjymtyrët i shërbejnë trupit. Emilio Gentile, një nga studiuesit më të njohur të fashizmit italian, thotë se motoja e shtetit fashist ishte: gjithçka për shtetin, asgjë kundër shtetit dhe asgjë jashtë shtetit. Shteti komunist gjithashtu ishte vlera e epërme supreme për ndërtimin e të cilit mund të sakrifikoheshin jetë pambarim njerëzish. Për milionat e jetëve që humbën nga zia e tmerrshme e bukës kur regjimi komunist ua konfiskoi drithin në vitet ‘20-30 fshatarëve ukrainas, Duma ruse u shpreh se kombinati i çelikut i Magnitogorskut dhe diga mbi lumin Dnjepër janë monumenti më i madh i tyre. Pra, jetët e tyre u morën për të ndërtuar veprat industriale, ndryshe vetë shtetin komunist. Jeta (mirëqenia jo e jo) e individëve mund të sakrifikohet pa asnjë problem për këtë lloj shteti. E gjithë retorika më shumë se katërvjeçare e kryeministrit Rama për të ndërtuar shtet vjen nga kjo mendësi. Për të dhe për qeverinë e tij nuk ka rëndësi të madhe jeta e njerëzve, krijimi i mundësive që prindërit të ushqejnë më mirë, të edukojnë më mirë dhe rrisin më mirë fëmijët krahasuar me “ne bëjmë shtet”. Për qeverinë ndërtimi i një klime të mirë biznesi, ulja e taksave, stimulimi i sektorëve privatë, nxitja e punësimit, zhvillimi i shkollave, gjimnazeve, universiteteve është më pak i rëndësishëm se sa “ne bëjmë shtet”. Papunësia e lartë, rënia e konsumit, shkollat me 40 nxënës në klasë ku mësimi vazhdon deri në mbrëmje vonë, universitetet në të cilat për një student shpenzohen shifra qesharake nga buxheti dhe ku cilësia është mizerabël, spitalet e mjera nuk kanë rëndësinë e “ne bëjmë shtet”. “Ne bëjmë shtet” ishte arsyeja pse kryeministri tha se do të vendosim sahate në puse. Në emër të shtetit, policia tri vite më parë mbajti në komisariat një nënë me fëmijën e saj gjashtë vjeç për nëntë orë, në emër të shtetit policia arrestoi në Pogradec një shofer, e mbajti atë në komisariat bashkë me djalin e tij të vogël, në emër të të bërit shtet u arrestuan hallexhinj për mospagim dritash. Në emër të shtetit mbi biznesin dhe njerëzit rëndon tatimi progresiv mbi të ardhurat, u hoq taksa e sheshtë, u kërkua në vend të rritjes së punësimit rritja e sasisë së kuponëve të prerë etj. Për një pikëpamje të djathtë shteti është garantuesi i të drejtave dhe lirive themelore, krijon mundësinë që njerëzit të garojnë të lirë, të shprehin më të mirën e tyre, të zhvillojnë shkollën, punën, rrisin të ardhurat. Pas Kantit dhe Fihtes ideja mbizotëruese për shtetin ishte se detyra e tij është “sigurimi i të drejtave”, që kuptonte veçanërisht të drejtat e personave dhe të drejtën e pronës. Duke nisur nga ide e Kantit, Von Humbold që u bë më pas ministër në qeveritë prusiane e përkufizoi qëllimin e shtetit si “ruajtja e sigurisë nga sulmet e jashtme dhe ato të brendshme”. Sado që roli i shtetit është rritur dhe sado që komunizmi dhe fashizmi e mitizuan atë, sot shteti në asnjë vend nuk shihet si qëllim. Nuk ka asnjë vend që të ketë një përdorim kaq të lartë të fjalës shtet, lëre më “ne bëjmë shtet” që është edhe më problematike. Sot pranohet një rol i shtetit në shpërndarjen e pasurisë, në programet e ndihmës kundër varfërisë, në mbrojtjen sociale, në përkrahjen e të pamundurve për arsim, por kurrë shteti nuk është qëllim. Kur shteti kthehet në qëllim të gjitha abuzimet janë të pritshme, edhe mbjellja me hashash e vendit, edhe rritja e taksave, edhe përdorimi politik i ligjit, edhe neglizhimi i shkollës dhe spitalit etj.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne