Shtohen zërat në Belgjikë për rikthimin e vizave për shqiptarët (Video)

Pasi Holanda i kërkoi zyrtarisht BE-së rikthimin e vizave për shtetasit shqiptarë, në Zvicër dhe në Francë janë bërë thirrje nga mediat, por edhe nga ligjëvënës të ndryshëm për të ndjekur shembullin e Holandës.

Fatkeqësisht edhe në Begjikë, sidomos në Rajonin e Flandrës po shtohen zërat për të rivendosur vizat për shqiptarët. Njëlloj si në rastin e Holandës katër janë shqetësimet kryesore:

1- Shtim i kriminalitetit të vogël (krimet ordinere) si vjedhje,grabitje, rrahje në publik, shkelje të rregullave të qarkulllimit rrugor, dokumente false etj.

2- Përdorimi i territorit belg për të shkuar në Angli me rrugë ajrore (a- me dokumente të falsifikuara duke fluturuar nga aeroporte të ndryshme belge dhe b- duke përdorur avionë ultra të lehtë për fluturime klandestine, të pautorizuara nga Belgjika në Angli.)

3- Kërkimi i azilit në Mbretërinë e Belgjikës, kur vetë autoritetet shqiptare e kanë deklaruar Shqipërinë si vend të sigurtë (Sic!)

4- Shndërrimi i porteve belge sidomos i Anversës në porta hyrëse të kokainës me sasi nga disa dhjetra kilogramë në disa kuintalë, cdo hyrje.

Rasti më i fundit, që ka bërë bujë në mediat belge dhe ka nxitur disa ligjëvënës belgë (flamandë) të ngrenë zërin kundra Shqipërisë dhe shqiptarëve ndodhi këtë të premte më 14 qershor. Roja bregdetare belge kapi një jaht (motoveljerë) me 9 shqiptarë në bord. Jahti i quajtur “Behar 69”, pësoi avari në motorr duke u detyruar të kërkonte ndihmë me celular në numrin e urgjencës 00 32 59 70 10 00, sepse VHF-i në bordin e jahtit nuk funksiononte për kanalet në rast fatkeqësie nr. 16 dhe 67. Roja Bregdetare kapi në jaht 9 shqiptarë, të cilët po tentonin të shkonin në Angli pa asnjë lloj dokumenti. Sipas autoriteteve belge lundrimi me jaht nga Porti i Ostendës për në Angli ishte i rrezikshëm, sepse jahti kishte vetëm 2 jelekë shpëtimi për 9 veta. Fishekzjarrët sinjalizues ishin të skaduar, ndërsa radioja tip VHF ishte me difekt. Jahti po ashtu nuk ishte i pajisur me radar, sic e kërkon rregullorja e lundrimit për të tilla mjete detare.

Trafikantët shqiptarë e kishin blerë jahtin për 5 000 euro (si mjet detar jashtë funksionimit) në Portin e Jahteve Lille afër Anversës, vetëm dy javë më parë. Secili nga 7 shqiptarët u kishte paguar dy trafikantëve 8 000 euro. Gjykata belge të shtunën dha masën esigurisë me burg për dy trafikantët./Gjergji Thanasi/Gazeta Impakt

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne