Shqiperia

Shtrenjtimi i jetës në Tiranë me Veliajn kryebashkiak

Njësoj siç veproi më 30 dhjetor të vitit 2015, kur kaloi në Këshillin Bashkiak vendimin për të rritur çmimin e biletës së transportit urban në kryeqytet, Erion Veliaj pritet të kalojë edhe vendimin për të dyfishuar çmimin e ujit të pijshëm në Tiranë. Përtej kundërshtisë se rritja e çmimit të ujit nuk bazohet në kurrfarë argumenti dhe se UKT është një ndërmarrje rentabël, interesant është edhe një detaj që nuk mund të anashkalohet. Pikërisht momenti që Veliaj ka zgjedhur të kalojë në Këshill këtë vendim që kurrsesi nuk mund të duartrokitet nga banorët e Tiranës. Fund-korriku dhe muaji gusht shfrytëzohen nga qytetarët për të pushuar.

Jo më kot kryebashkiaku ka zgjedhur tinëz këtë kohë. Tirana është pothuajse e zbrazët, vëmendja e publikut është e ulët, protestat në këtë pikë vape zor dhe të mendohen e jo më të organizohen. Prandaj, si manipulator dhe mjeshtër i propagandës, Erion Veliaj kërkon ta shfrytëzojë këtë periudhë për të kaluar pa shumë zhurmë në Këshillin Bashkiak vendimin për dyfishimin e çmimit të ujit. E njëjta strategji u përdor edhe për të rritur çmimin e biletës nga 30 në 40 lekë.

Kujtoni se vendimi në Këshillin Bashkiak u miratua me shumicë një natë përpara se shqiptarët të festonin Vitin e Ri. Sigurisht që nuk ishte e rastësishme të lihej ai vendim për atë kohë. Sikundër nuk është rastësi që vendimi për çmimin e ri të ujit të kalojë nesër. Por nëse miratohet, ky është vendimi më i fundit në serinë e disa vendimeve të tjera të Erion Veliajt, që kanë shtrenjtuar ndjeshëm jetesën në kryeqytet.

Në nëntor 2015 janë miratuar tarifat e reja të parkingjeve. 71 rrugë të Tiranës, rreth 60% e parkingjeve janë bërë me pagesë. Tarifat variojnë nga 20 lekë deri në 100 lekë/orë. Në rrugët kryesore për të parkuar makinën duhet të paguani 100 lekë/orë.

Jashtë çdo logjike, Erion Veliaj vendosi për banorët e kryeqytetit edhe taksën e arsimit, 1800 lekë në vit për familjarët dhe 4000 lekë për bizneset e vogla dhe akoma më shumë për bizneset e mesme e ato VIP. Heqja e taksës për biznesin e vogël nuk ishte asgjë përpara këtyre taksave.

Që prej shkurtit të vitit 2016, qytetarët në Tiranë e paguajnë më shtrenjtë biletën e autobusit pas vendimit të Veliajt për ta rritur në 40 lekë. Ndërkohë që shërbimi që ofrojnë kompanitë e transportit vazhdon të jetë katastrofë. KLSH në një raport kishte konstatuar se rritja ishte jo transparente dhe e paargumentuar.

Taksa  8% e ndërtimit e vendosur prej kryebashkiakut Erion Veliaj është një tjetër rëndesë në xhepat  e atyre që duan të blejnë apartamente në Tiranë apo njësi shërbimi në kryeqytet. Kjo taksë tha Veliaj, shihet si një mënyrë për të siguruar më shumë të ardhura nga fitimet e ndërtuesve. Por këta të fundit e transferojnë këtë taksë në çmimin me të cilin shesin apartamentet apo njësitë e tjera të shërbimit.

Në faturën e ujit, e cila do të vijë dyfish më shumë nëse vendimi kalon në Këshill, janë ndërkohë që prej shkurtit 2016 edhe tre taksa të reja të vendosura nga Veliaj.  Bëhet fjalë për taksën për pronën, atë të pastrimit dhe infrastrukturës arsimore.

Sot Erion Veliaj u shpreh se nuk dorëzohet për të kaluar vendimin për rritjen e çmimit të ujit, qoftë edhe sikur ‘e gjithë qenëria e Tiranës t’i vihet pas’. Mbetet për t’u parë nëse do ta sigurojë apo jo shumicën në Këshillin Bashkiak.

PD është shprehur kundër, ndërsa LSI ka kërkuar dëgjesë publike me kryebashkiakun dhe kategorizim për abonentët familjarë. Sido që të jetë vendimi, kryebashkiaku Erion Veliaj në dy vitet e para të mandatit, me taksat dhe tarifat që ka vendosur, i ka dhënë një goditje të madhe xhepave të kryeqytetasve dhe bizneseve që operojnë në Tiranë. Mbase edhe në këtë rast vlen ajo që ka thënë Rama në fillim të mandatit si Kryeministër, se s’kemi parë gjë akoma…

OPINIONE

INTERVISTA