Shtrenjtohet nafta pasi ministri i ri saudit zotohet të vazhdojë shkurtimet

Çmimet e naftës kanë shënuar rritje pasi ministri i ri i energjisë i Arabisë Saudite u zotua se do të vazhdojë politikën e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) për shkurtimin e prodhimit për të mbështetur çmimet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Çmimi i naftës Brent të hënën është rritur për 1,52% duke u mbyllur në 62,67 dollarë për fuçi. Ky çmim shënoi rritje edhe të martën në mëngjes duke arritur në 62,84 dollarë për fuçi.

Princi Abdulaziz bin Salman të dielën u emërua ministër i ri i energjisë në Arabinë Saudite, duke zëvendësuar ish-ministrin Khalid al-Falih i cili kryesoi me marrëveshjen për shkurtimin e prodhimit mes vendeve të OPEC-ut dhe atyre jashtë OPEC-ut.

Abdulaziz është djali i mbretit të Arabisë Saudite dhe gjysmë-vëllai i Princit të Kurorës Mohammed bin Salman.

Abdulaziz u zotua se nuk do të ketë “ndryshime radikale” në marrëveshjen e OPEC-ut për të shkurtuar prodhimin.

Duke folur gjatë Kongresit Botëror të Energjisë në Abu Dhabi, ministri i ri tha se marrëveshja e prodhimit e grupit të quajtur OPEC+ ka tendencë që të “qëndrojë për një kohë të gjatë”.

Vendet prodhuese të naftës OPEC+, ku bën pjesë edhe Rusia, në fillim të korrikut u pajtuan që të ulin sasinë e prodhimit të përgjithshëm për 1,2 milionë fuçi në ditë deri në fund të marsit të vitit 2020.

Përderisa vendet e OPEC+ kanë nevojë që çmimet e naftës të rriten për të rritur edhe të ardhurat shtetërore, Arabia Saudite gjithashtu dëshiron të realizojë ofertën fillestare publike të kompanisë shtetërore Aramco në muajin nëntor në bursën saudite, Tadawul./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne