Shtyhet sërish gjyqi ndaj ish-Ministrit Saimir Tahiri

Është shtyrë për të dytën herë gjyqi ndaj ish-Ministrit Saimir Tahiri dhe tre ish-zyrtarëve të tjerë të policisë Vlorë.

Tahiri gjykohet së bashku me Jaeld Çelën, Sokol Boden dhe Gjergji Kohilën ish-drejtues të policisë në Vlorë, por që mbeten në kërkim. Akuza ndaj tyre është për trafik ndërkombëtar të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Nëse seanca e 19 qershorit u shty për shkak se jo të 3 ish-zyrtarët sollën përfaqësues ligjor, kjo e 3 korrikut u shty për shkak se prokura për avokatin e Kohilës u cilësua e parregullt.

Seanca e radhës pritet të zhvillohet më 17 korrik, ndërsa Gjykata për Krimet e Rënda ka vendosur gjithashtu që 3 ish-zyrtarët e policisë të njoftohen edhe njëherë.

Ish-ministri Tahiri është ministri i parë në Shqipëri i akuzuar nga Prokuroria për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik ndërkombëtar droge.

Hetimet për të nisën në tetor të 2017 pas arrestimit në Katania të Moisi Habilajt dhe anëtarëve të grupit të drejtuar prej tij. Emri i ish-Ministrit Tahiri doli në përgjimet e bëra ndaj këtij grupi nga pokuroria italiane.

Habilajt u dënuan nga Gjykata e Katanias po më 19 qershor kur seanca ndaj Tahirit në Tiranë u shty. Moisi Habilaj u dënua me 15 vjet, Nazer Seiti me 8 vjet dhe Meridian Sulaj gjithashtu me 8 vjet burg./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne