Shumica e gjermanëve e shikojnë racizmin si problem serioz të vendit

64% e gjermanëve e shikojnë racizmin si një problem “shumë të madh” ose “të madh”.

Kurse 30% e të anketuarve e shikojnë racizmin si një problem “të vogël” ose “shumë të vogël”, dhe vetëm 5% e gjermaneve që i janë përgjigjur pyetësorit mendojnë se racizmi nuk përbën problem për ata.

Sipas të njëjtës anketë, 68% e emigrantëve e cilësojnë racizmin si një problem “shumë të madh” ose “të madh” në Gjermani.

62% e gjermanëve janë të mendimit se emigrantët që jetojnë për një kohë të gjatë në Gjermani janë integruar “shumë mirë” ose “mirë” me shoqërinë gjermane, ndërsa 33% e gjermanëve thonë se integrimi i emigrantëve që bëjnë pjesë në këtë grup ka qenë i “keq” ose “shumë i keq”.

Kurse përqindja e gjermanëve që e vlerësojnë si “të keq” ose “shumë të keq” integrimin e emigrantëve që kanë shkuar atje vitet e fundit është 68%.

Vetëm 28% e të anketuarve e shikojnë si “shumë të mirë” ose “të mirë” integrimin e emigrantëve të rinj.

Pas largimit dy javë më parë të futbollistit gjerman me origjinë turke, Mesut Özil nga kombëtarja gjermane për shkak të sulmeve raciste dhe diskriminuese në mbarë vendin ishte shkaktuar një debat i gjerë në lidhje me racizmin dhe integrimin e emigrantëve.

Ndërkaq anketa ka zbuluar se partitë e unionit kristian CDU/CSU, partneri më i madh i qeverisë gjermane, kanë pësuar humbje të votave.

Sipas të njëjtës anketë, votat e CDU/CSU, e drejtuar nga Kancelarja Angela Merkel, janë shteruar me 1 pikë përqindje në krahasim me një muaj më parë dhe kanë rënë në 29%.

Ky është niveli më i ulët i matur i mbështetjes që merr koalicioni CDU/CSU nga zgjedhësit.

Kurse ortakja tjetër e qeverisë, Partia Social Demokrate (SPD) e ka ruajtur përqindjen e votave të muajit të mëparshëm, 18%.

Alternativa për Gjermaninë (AfD), partia e ekstremit të djathtë dhe më e madhja e opozitës, e ka rritur me 1 pikë përqindje mbështetjen në popull duke e ngritur në nivelin e 17%.

Edhe përqindja e votave që kanë Të Gjelbërit ka shënuar 1 pikë përqindjeje rritje dhe ka arritur në 15%, kurse Partia e Majtë ka mbetur në 9%.

Në krahasim me muajin e mëparshëm rënie ka pësuar edhe FDP-ja (Demokratët e Lirë), përqindja e të cilës sipas anketës së fundit është 7%.

Shpërndarja e votave në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit 2017 ishte e tillë: CDU/CSU 32,9%, SPD 20,5%, AfD 12,6%, FDP 10,7%, Partia e Majtë 9,2% dhe Të Gjelbërit 8,9%./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne