Shqiperia

“Si do të shkojë e ardhmja jonë?!”/ Pa strehë pas tërmetit, banorët e Durrësit: Askush s’ka vlerësuar dëmet, qeratë janë shtrenjtuar

Katër mijë banorë, të cilët pas tërmetit u strehuan në hotelet e Durrësit janë të paqartë dhe në ankth për të ardhmen e tyre, pasi në fillim të javës së ardhshme duhet t’i lënë ambientet ku qëndrojnë që prej 26 nëntorit. Të mbetur pa shtëpi, banoret rikthehen çdo ditë në pallatet e dëmtuara vetëm për të ruajtur orenditë shtëpiake. Ata thonë se askush nuk ka vlerësuar sigurinë e pallateve dhe kanë frikë të rikthehen aty.

“Nuk ka ardhur kush të kontrollojë. A është apo jo i banueshëm?! Ku do rrimë?! Të vinë njerëz kompetent, që t’i shohin këto pallate. Si do të jetë e ardhmja jonë?! Presim se kush do të na vijë në ndihmë”, – tha një prej banorëve të prekur.

Akti më i shëmtuar sipas banorëve, është rritja e çmimit të qirave të banesave, me të cilat u abuzua menjëherë pas kërkesës së shtuar pas tërmetit. Sipas bashkisë së Durrësit, përgjatë muajit Janar pritet të dalë fatura financiare e dëmeve të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Përveçse katër mijë të strehuarve në hotele, mbi gjashtë mijë të tjerë vijojnë të qëndrojnë në çadra ndërsa shumë të tjerë kanë bujtur tek të afërmit ose qëndrojnë në shtëpi me qera./tpz

OPINIONE