Si e justifikoi daljen e parave nga bankat drejtori i Ramës

Drejtori i Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, Arlind Gjokutaj është përpjekur ta justifikojë me disa deklarata tërheqjen e miliarda lekëve nga bankat gjatë fushatës zgjedhore. Në mbledhjen e Task-Forcës së datës 21 qershor, zv.kryeministrja Mandija i ka kërkuar Gjokutajt informacione për arsyet e tërheqjes masive të parasë nga bankat në muajin prill dhe maj, në kulmin e fushatës zgjedhore dhe nëse kjo lidhej me financimin e partive politike në zgjedhje.
“Jemi këtu për të thënë që ‘a ka indicie’, a ka dyshime që po tërhiqen para? Është shumë e thjeshtë, d.m.th., gjëja që këto para do të shkojnë për përdorim të subjekteve të ndryshme elektorale, apo jo? Kjo është pyetja”, i është drejtuar Mandija.

Në përgjigjen që drejtori i Ramës ka dhënë para zv.kryeministres jepen një sërë faktorësh që sipas tij shpjegojnë daljen anormale të parave nga bankat, por asnjë prej tyre nuk përfshin hedhjen në qarkullim të parave të pista të partive politike. Fillimisht Gjokutaj e lidh tërheqjen e parave nga bankat  me pagesat që ka bërë kompania TAP, pastaj kalon tek  rritja e eksporteve, të shërbimeve, që kanë një prurje të valutës mbi normalen, pastaj nxjerr një tjetër arsye kur thotë se bankat kanë ulur normat e interesit në minimum “në lekë janë thuajse zero, në euro thuajse zero, alternativa për investime në bono thesari është në minimumet historike, 2 për qind gati. Njerëzit nuk kanë alternativa investimi, ku t’i mbajnë ato lekë, janë totalisht të justifikuar edhe t’i tërheqin, t’i mbajnë edhe cash”.
Dhe në fund e mbyll shpjegimin e tij me një deklaratë anormale, sikur qytetarët nisin që në maj të shpenzojnë për pushimet e verës e deri edhe për periudhën e Vitit të Ri.
“Faktor që ka efekt të shpejtë janë edhe nevojat e shpejta imediate të individëve për para cash. Brenda vitit kemi periudhën e verës, shpenzimet për ushqime, periudhat e Vitit të Ri, Krishtlindjeve, shpenzimet e festave, njerëzit tentojnë të marrin cash. Dhe kjo parantezë ishte e gjitha për të dhënë faktin që edhe muaji maj, në historikun e vet, është një muaj, që perceptohet si muaj vere, pavarësisht se vera kalendarikisht fillon që në muajin qershor deri në korrik, por edhe muaji maj është muaji që futet në sezonin e verës”, ka raportuar Gjokutaj para Task-Forcës. Përpjekja për të mbuluar qarkullimin e parasë së pisët në këto zgjedhje është e qartë. Si kurrë më parë, deri fundjavën e zgjedhjeve, pati një rënie të pandalshme të euros si pasojë e hedhjes në qarkullim të shumave të mëdha në valutë. Shpenzimet e partive kanë qenë të mëdha deri në 25 qershor dhe dihet se financimi për fushatën i kërkohet atyre që ndër vite kanë përfituar nga partitë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne