Si e manipulon Edi Rama, komunitetin ndërkombëtar

Nga Vincent Van Gerven Oei 

Ajo çfarë ka bërë përshtypje këto katër vjet është mbështetja që Kryeministri Edi Rama duket se gëzon brenda komunitetit ndërkombëtar, edhe pse sistemi i tij i vlerave ka pak të përbashkëta me shtetin e të drejtës dhe demokracinë.

Unë kam shkruar edhe më parë se si komuniteti ndërkombëtar nuk arrin ta kuptojë sistemin politik dhe ekonomik që po legjitimohet kohët e fundit në Shqipëri, ndërkohë që Kryeministri Edi Rama, i ndihmuar nga një grup i lodhur laboristësh të “Rrugës së Tretë”, ka qenë në gjendje të kontrollojë mënyrën si flitet për vendin e “tij”.

Sidoqoftë, suksesi i tij nuk është thjesht rezultat i një PR të zgjuar, por është gjithashtu rezultat i padijes së përhapur mbi Shqipërinë dhe një orientalizmi të skalitur thellë. Sot, në politikën dhe diplomacinë ndërkombëtare ekzistojnë disa narrativa të rëndësishme që ushqehen nga ky orientalizëm, të cilin Rama e ka përqafuar me sukses në marrëdhëniet e tij me jashtë:

Kërcënimi i ekstremizmit/terrorizmit radikal musliman;
Kërcënimi i zgjerimit të ndikimit të Rusisë në Ballkan;
Kërcënimi i paqëndrueshmërisë së rajonit.

Rama e ka portretizuar Shqipërinë si një vend në të cilin të katër besimet fetare—mysliman, bektashi, katolik dhe ortodoks—jetojnë në harmoni së bashku, si për shembull gjatë paradës së udhëheqësve botërorë pas sulmit ndaj zyrave të revistës Charlie Hebdo në Paris në janar të vitit 2015; si dhe një vend me shumicë myslimane ku ekstremizmi mund të shpërthejë në çdo moment.

Rama e ka përdorur me sukses kartën e ekstremizmit mysliman në një sërë situatash, në veçanti si kërcënim ndaj BE-së me qëllim përshpejtimin e hapjes së bisedimeve për anëtarësim. Në korrik 2015, në një artikull të Financial Times shkruhej:

Si paralajmërim për rrezikun e mundshëm të përhapjes së radikalizimit islam në Ballkan, Edi Rama tha: “Një i ri në Tunizi apo Tobruk ndjen se nuk ka të ardhme. Por në Shqipëri ylli në qiell është Evropa. Nëse BE nuk është e aftë të tregohet ashtu siç pritet, atëherë do të ketë një hapësirë të madhe për islamin radikal”.

Ndërsa në dhjetor 2016, Edi Rama pohoi për gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung se:

Nëse duam të kemi një BE të sigurt dhe të qëndrueshme dhe me të edhe një Europë të sigurt, nuk është mirë të ketë boshllëqe.

Për më tepër, nuk duhet të harrojmë që ka gjithashtu aktorë të tjerë, palë të treta, që po luajnë lojën e tyre dhe që do të përfitonin nëse BE do të linte një boshllëk këtu. E kam fjalën për Rusinë, por gjithashtu e kam fjalën për islamin radikal.

Fakti është se nuk është besimi ai që nxit ekstremizmin dhe terrorizmin, por diskriminimi shoqëror, varfëria dhe shtypja e vazhdueshme. Ekstremizmi mysliman nuk mund të shfaqet befas në momentin që BE ndalon apo ngadalëson zgjerimin e saj.

Sidoqoftë, kjo narrativë godet në shenjë në pjesë të caktuara të komunitetit ndërkombëtar, në mos për tjetër, për shkak të racizmit dhe islamofobisë të ngulitur thellë.

Ky fakt i thjeshtë, që Shqipëria është një vend me shumicë myslimane—edhe pse të dhënat e regjistrimit të fundit të popullsisë nuk përfshinë besimin dhe shumica e popullsisë është ateiste në çdo lloj kuptim dhe për çdo lloj qëllimi—është i mjaftueshëm për ta vendosur atë në krye të listës së vendeve të rrezikuara nga ekstremizmi islamik. Rama i ka luajtur të dyja rolet në këtë loje, si atë të garantuesit të tolerancës fetare, edhe atë të paralajmëruesit për rritjen e vazhdueshme të mundësisë për radikalizim.

Narrativa e dytë është ajo e Rusisë. Në ndryshim nga vendet sllave që e rrethojnë, Shqipëria nuk ka ndonjë histori të marrëdhënieve me Rusinë dhe në fakt ka qënë vendi i parë i bllokut lindor që preu lidhjet me Bashkimin Sovjetik pas vdekjes së Stalinit. Në Shqipëri nuk ka asnjë shtrat për ndonjë lloj pan–sllavizmi, sikurse nuk ka asnjë provë të ndërhyrjes së Rusisë në politikën shqiptare. Por Rama e përmend “Rusinë” në të njejtën frymë me “islamin radikal” duke e ditur se ato janë dy kokëçarjet më të mëdha për funskionarët e SHBA-ve dhe të BE-së.

Narrativa e tretë është ajo e “Ballkanit” e cila ngjall menjëherë imazhet e luftës dhe genocidit. Nuk ka asnjë rëndësi që Shqipëria nuk ka qënë direkt e përfshirë në asnjë nga luftërat e fundit të zhvilluara në Ballkan, sikurse nuk ka rëndësi as fakti që në Shqipëri mungojnë ndarjet etniko-fetare që mund të jenë nxitëse të konflikteve të tilla. E vërteta është se Shqipëria e percepton veten (paçka se padrejtësisht) si mono etnike dhe paqëndrueshmëria e fundit që ajo ka përjetuar u shkaktua nga probleme ekonomike, jo nga probleme etnike apo fetare.

Sërish Rama ka qënë i aftë të përfitojë nga kërcënimi i “paqëndrueshmërisë” së Ballkanit, duke u pozicionuar si një udhëheqës i “qëndrueshëm” dhe si një “urë” ndaj vendeve të tjera të Ballkanit. Kjo aftësi e tij është shfaqur më mirë se kudo në gjithë qasjen e tij në kuadër të nismës së Merkelit për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qënë një skenë a jashtëzakonshme për Ramën për të luajtur rolin e udhëheqësit paqësor dhe bashkëpunues perëndimor.

Kështu Rama ka përfituar para së gjithash nga steriotipi thuajse automatik që ekziston për Shqipërinë në qarqet ndërkombëtare si një vend me “shumicë myslimane” dhe një vend “Ballkanik”. Përballë këtij steriotipi Rama e ka pozicionuar mjeshtërisht veten si njeri kosmopolitan, si një udhëheqës i ndriçuar i cili e mban gjithçka të bashkuar, duke i mundësuar vetes zgjerimin e kapitalit të tij politik.

Por pavarësisht nga e gjitha kjo, Rama ka mbetur relativisht i izoluar në arenën politike ndërkombëtare. Vizitat në Tiranë të krerëve të shteteve perëndimore apo të Ramës në vendet e tyre janë të rralla, dhe pjesa më e madhe e ndërveprimit të tij me ndërkombëtarët ndodh gjatë takimeve dhe konferencave në të cilat ai ftohet sepse kështu e do rregulli.

I vetmi përjashtim është Turqia. Marrëdhëniet e Ramës me regjimin e Presidentit Taip Erdogan janë miqësore dhe personale. Ai ishte dëshmitari personal në dasmën e vajzës së Erdoganit më 14 maj 2016, së bashku me udhëheqësit e vendeve të tjera myslimane aziatike.

Qeveria shqiptare, gjithashtu, ka mbështetur qeverinë turke në gjuetinë e shtrigave ndaj të ashtuquajturve “terroristë” anëtarë të organizatës së profetit mysliman Fetullah Gylen, ndërsa vendet e tjera europiano-perëndimore, si Gjermania dhe Greqia, u kanë dhënë atyre azil politik.

Rama ka falenderuar publikisht Presidentin Erdogan për mbështetjen e tij për uniformat e reja të policisë shqiptare, ndërsa kohët e fundit ai njoftoi se do të krijohet një kompani e re ajrore shqiptare nën kujdesin personal të Erdoganit. Asnjë udhëheqës tjetër i huaj nuk ka pasur një trajtim të tillë.

Por a ka ndonjë person të interesuar në marrëdhëniet e ngushta ndërmjet Ramës dhe Erdoganit dhe çfarë mund të na thonë këto marrëdhënie për katër vjeçarin e ardhshëm të politikës shqiptare?

Për katër vjet, komuniteti ndërkombëtarë është vënë në lojë për shkak të paragjykimeve orientaliste dhe koncepteve të vjetëruara mendore.

Ndoshta është koha që të shikohet ajo çfarë Rama bën në të vërtetë, në vend që të fantazohet se nga çfarë po na mbron ai./exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne