“Si e ndamë detin me Italinë në 1992 dhe rasti me Greqinë sot”

I nderuar z.Thano

Në postimet në media lidhur me negociatat për ripërcaktimin e Shelfit Kontinental Shqipëri-Greqi, ajo që më nxiti më shumë, ka qenë artikulli i Zv.Komandantit të Forcave Detare, Kapiten i Rangut të Parë (në rezervë) Bektash Petoshati, kuadër i respektuar e i nderuar i Flotës, në shtypin e dt. 6 Prill 2015: “Si më larguan nga grupi i punës për Paktin Detar me Greqinë”.

Në pyetjen: Cili është gjykimi Juaj, a është gabuar në këtë marrëveshje? Ai jep këtë përgjigje: Me këtë marrëveshje është gabuar dhe kjo tanimë nuk ka diskutim.

Së pari, gabimi kryesor ligjor ka qenë mungesa e përcaktimit të vijës së drejtë bazë. Në të gjithë aktet e mëparshme, “Mbi ujërat territoriale dhe ujërat e brendshme të RPSH-së dhe Ligjin 8771, Dt. 19.04.2001, “për kufirin shtetëror të RSH-së, përcaktohet qartë vija e drejtë bazë e bregdetet shqiptar. Po me këtë vijë të drejtë bazë kemi hyrë në bisedime me Italinë, për të njëjtin problem, bisedime që përfunduan në 1992. Pra, e thënë thjeshtë “gardhi” nga duhet të fillonin matjet, ishte pikërisht vija e drejtë bazë e shfuqizuar me propozim të MB.

Së dyti; grupi i punës nuk ka zbatuar Urdhrin Nr. 135, Dt. 23.08.2007 të Kryeministrit, sidomos kjo për çështjen, nëse është ose jo gjiri i Sarandës një gji historik.

Së treti; dhe ç’është më kryesorja, asnjë nga grupi punës nuk kishte kapacitete profesionale e njohuri juridike për këtë çështje madhore…

Diku thotë se: Duke qenë se për ne ishte një eksperiencë e re, u përpoqëm të gjenim në arkivin e MPJ-së, dosjen e negociatave me Italinë për Shelfin Kontinental, por për fat të keq, mundëm të gjenim vetëm një fashikull ku ndodheshin 3-4 fletë dhe asgjë më tepër.

Me qenë se kam qenë Kryetar i Komisionit të Punës për Marrëveshjen e Shelfit Kontinental me Italinë, jo për të marrë rolin e heroit, por për të dhënë një kontribut modest në rinegociatat që do zhvillohen me Greqinë, po jap metodologjinë e përdorur në përcaktimin e Shelfit Kontinental. Këtë e kërkon edhe z. Petoshati.

 

*****

Së pari, komisioni përbëhej nga tre veta, përkatësisht nga Komanda e FLD-së, Shefi i Shtabit të FLD-së, Beqir Gërbi (Kryetar); nga Ministria e Punëve të Jashtme, Drejtori i Drejtorisë Juridike, në M.Jashtme, Ksenofon Krisafi (Anëtar) dhe përkthyes; nga Ministria e Punëve të Brendshme, shefi i degës së topografisë, Çarçan Danaj (Anëtar). Grupi i punës u përcaktua me urdhër të Kryeministrit Adil Çarçani.

Duhet të pranoj se, edhe ne nuk kishim dijeni të mjaftueshme profesionale e njohuri juridike, mbi metodat në përcaktimin e vijës kufitare detare midis shteteve. Kjo shpjegohet se në Shkollën e Lartë të Marinës në Rusi, nuk e kishin në programin mësimor. Ndërsa gjatë kohës që shërbyen në Pashaliman, rusët nuk i trajtonin këto probleme dhe ç’është e vërteta, ata nuk kishin njohuri të mjaftueshme profesionale e juridike, për të drejtat e detit e Kodin Ndërkombëtar Detar. Për literaturë, as nuk bëhej fjalë.

Në Akademinë Ushtarake gjeta literaturë në gjuhën ruse, ku gjeje artikuj të ndryshëm për të krijuar një ide se ç’është Shelfi Kontinental, por jo për metodat, rrugën e veprimet që kryen në përcaktimin e vijës së Shelfit. Duke qenë kryetar i grupit, MPJ më dërgoi në adresë të Komandës së Flotës vetëm një kopje të Kodit Ndërkombëtar Detar të vitit 1982. Kjo më ndihmoi diçka.

Ndihmën më të madhe na i dhanë specialistët italianë. Komisioni italian, gjithashtu përbëhej nga tre veta. Përfaqësuesi i FLD-Italisë (Kryetar), Z/Drejtori i Hidrografisë së Italisë (Anëtar) dhe përfaqësuesi i AGIP-it (Anëtar). Gjatë gjithë kohës, kanë treguar një gadishmëri të jashtëzakonshme, për të na sqaruar çdo pyetje ose plotësuar çdo kërkesë tonën. Me Komisionin Italian, kam zhvilluar katër takime, në Shqipëri dhe pothuaj i kemi zgjidhur të gjitha problemet. Takimi i fundit dhe nënshkrimi i marrëveshjes së Shelfit Kontinental Shqipëri-Itali, u la të bëhej në Itali. Në korrik të vitit 1990, unë dola në pension. Marrëveshja u firmos në Romë në vitin 1992.

Kodin Ndërkombëtar Detar i vitit 1982 krijon koncepte të qarta për:

– Ujërat e brendshme detare

– Ujërat territoriale

– Shelfi Kontinental

E theksoj këtë, pasi Kodi Ndërkombëtar Detar i vitit 1982, ka trajtuar për herë të parë problemin e Shelfit Kontinental, sepse në këtë kohë revolucioni tekniko-shkencor krijoi mundësinë e shfrytëzimit të tabanit të detit për problemet ekonomike, si për nxjerrjen e naftës, gazit e mineraleve të tjera.

Nuk po zgjatem në problemin historik. Në kodin e mëparshëm trajtoheshin ujërat e brendshme detare; ujërat territoriale (ekonomike) dhe deti i hapur ose siç e përdornim ne, Ujërat Ndërkombëtare. Për vijën e drejtë bazë, kodi i mëparshëm kishte vetëm një kërkesë, që ajo (vija e drejtë bazë), e cila bashkon dy kepat (të njëpasnjëshme), nuk duhet të jetë më e madhe se 24 milje detare. Po qe se është më e madhe, ai shtet ka përfituar padrejtësisht në detin territorial, meqenëse gjerësia e detit territorial ishte miratuar 12 milje detare.

Në kodin e mëparshëm theksohej se ujërat e brendshme dhe ujërat territoriale përcaktoheshin nga vetë shtetet, duke u bazuar në kërkesën e kodit detar. Kishte shtete që ujërat territoriale i përcaktonin më pak se 12 milje-detare, por në asnjë rast përtej 12 milje detare.

Në kodin e ri të vitit 1982, neni Nr.7 e neni Nr.10 përcaktojnë së pari, se Shelfi Kontinental Detar, midis shteteve përcaktohet me Marrëveshje midis tyre; së dyti, vija e drejtë bazë që bashkon dy kepat, duhet të plotësojë dy kërkesa:

1. Ajo nuk duhet të jetë më e gjatë se 24 milje detare; 2. Sipërfaqja ujore që formohet midis Vijës së Drejtë Bazë dhe vijës ujore bregdetare, nga kepi në kep, duhet të jetë më e madhe ose e barabartë me sipërfaqen e gjysmë-rrethit, që ka si rreze gjysmën e gjatësisë së Vijës Bazë.

Prandaj, theksohet se: Vija kufitare e Shelfit Kontinental, midis shteteve përcaktohet me kombinimin e dy metodave. Së pari, metodën e vijës së baraslarguar nga kepat, së dyti, me metodën e baraslarguar nga vija e drejtë bazë (sqaroj – nga ajo vijë bazë që plotëson të dyja kërkesat) ose neni Nr.10.

– Kam mendimin, se çdo komision pune për kufirin detar duhet të dijë se si veprohet praktikisht në përcaktimin grafik për: Ujërat e brendshme; Ujërat territoriale; Shelfi Kontinental; Vijën e kufirit Detar midis shteteve përballë ose përbri. Ata duhet t’i kenë të unifikuara mendimet.

Me komisionin italian ne përdorëm këtë metodë pune në përcaktimin e Shelfit Kontinental, midis Shqipërisë dhe Italisë:

A– Në përcaktimin e hartës.

– Ajo duhet të jetë hartë detare. Nuk ka rëndësi se i kujt shteti është prodhimi.

– Harta, duhet të pasqyrojë situatën detare e bregdetare me saktësi e t’i përgjigjet kohës kur bëhet marrëveshja.

– Shkalla e hartës duhet të jetë e tillë, që të kesh mundësi të punosh, por mundësisht të zgjidhet e tillë, që ta paraqitesh gjithë kufirin e Shelfit Kontinental në një hartë. Pra, të mos kesh nevojë të kalosh nga një hartë në tjetër.

Ne paraqitëm hartën tonë detare, të prodhuar nga shërbimi hidrografik i FLD-së shqiptare me shkallen 1:500000, e cila pasi u verifikua nga shërbimi hidrografik i Italisë, u miratua nga të dy komisionet.

Shënim: N.q.s, dy komisionet bien dakord që të përdoret harta detare e prodhimit të shtetit Grek, medoemos, instituti Topografik shqiptar, duhet të kontrollojë saktësinë e hartës dhe me shkrim, t’i përgjigjet komisionit shqiptar, për saktësinë e saj. Në të pastajmë, komisioni shqiptar pranon hartën detare të propozuar nga pala greke.

B. Fillon puna për përcaktimin e kufirit detar midis dy shteteve, me metodën e baras-largësisë nga kepat. Ajo fillohet atje ku distanca midis shteteve është më e vogël. Midis shtetit shqiptar e shtetit italian, distanca më e vogël është midis kepit të Gjuhëzës e kepit të Otrantos. Pasi i bashkuam dy kepat, gjetëm pikën e mesit. Nga kjo pikë, hodhëm vijën perpendikulare me vijën kepi Gjuhëzës-kepi Otranto.

Në të pastajmen, vazhduam me anën e rretheve, të përcaktojmë vijën e kufirit detar, të baraslarguar nga kepat deri në veri. Këtë punë e kishte bërë komisioni italian, dhe me shkresë zyrtare na i dërgoi. Në shkresën zyrtare, jepte me saktësi koordinatat gjeografike (gradë, minuta, sekonda) të çdo kepi, të bregdetit italian dhe kërkonte koordinatat për çdo kep të bregdetit tonë nga kepi i Gjuhëzës përfshirë kepin e Palit. Kepi i Rodonit do të trajtohet me Malin e Zi, kur të fillojnë negociatat. Neve na mbeti të kontrollonim saktësinë e punës së tyre.

Në bazë të nenit Nr.10 të Kodit Ndërkombëtar Detar UNCLOS-1982 do përcaktojmë se cilat nga vijat e drejta bazë që bashkon dy kepa, plotësojnë dy kërkesat. Për këtë, bashkojmë me vijë të drejtë kepat duke filluar nga kepi i Palit.

Kërkesa e parë e nenit Nr.10 UNCLOS-82 është që çdo vijë e drejtë bazë, nuk duhet të jetë më e madhe se 24 milje detare. Nga matja, na rezultoi se secila vijë bazë ishte më e vogël se 24 milje detare.

Kërkesa e dytë e Nenit Nr.10, UNCLOS-82 është që: Sipërfaqja Ujore e gjirit që formohet nga vija e drejtë bazë dhe vijës bregdetare ujore, duhet të jetë më e madhe ose e barabartë me sipërfaqen e gjysmë rrethit, që formohet duke patur si rreze, gjysmën e gjatësisë së vijës së drejtë bazë. Nga matjet rezultoi se asnjë nga gjiret nuk i plotësonte me përjashtim të gjirit të Vlorës që krijohet: Kepi i Gjuhëzës-kepi perëndimor i Sazanit-kepi verior i derdhjes së Vjosës.

2

Sqaroj se, rolin e pikës së mesit të vijës së drejtë bazë, në rastin e gjirit të Vlorës, e luan kepi perëndimor i Sazanit, prandaj, kjo vijë bazë nuk krijoi një pikë të re në vijën kufitare të Shelfit Kontinental.

Në përfundim, Marrëveshja për përcaktimin e vijës kufitare detare të Shelfit Kontinental, Shqipëri-Itali, u realizua sipas kërkesave të Kodit Ndërkombëtar Detar (UNCLOS)-1982-me metodën e distancës së baraslarguar nga kepat, pasi edhe gjiret e krijuara në bregdetin italian, nuk plotësonin kërkesën e dytë, sipas nenit Nr.10.

Ujëra të brendshme detare janë ujërat detare që janë brenda vijës së drejtë bazë, që formohen sipas nenit Nr.7 dhe nenit Nr.10-UNCLOS-82. Pra vija e drejtë bazë, që formohet sipas nenit 7 dhe 10, janë njëkohësisht, vija kufitare detare qe mbyll ujërat e brendshme si dhe vija kufitare detare, ku fillojnë ujërat e detit territorial e Shelfit Kontinental.

Duke u bazuar në sa më lart, mendoj se për të përcaktuar Shelfin Kontinental Shqipëri-Greqi, duhet përcaktuar vija e kufirit detar midis dy shteteve, së pari, me metodën e baraslarguar nga kepat.

Për këtë, bashkojmë me vijë të drejtë, kepin e Shkallës (Shqipëri), me kepin e Shën-Stefanit (Greqi). Këtu është distanca më e vogël, afërsisht 1.2 milje detare. Gjejmë mesin e vijës bashkuese dhe heqim vijën perpendikular mbi të. Me anë të rrathëve, duke vazhduar në veri dhe në jug, përcaktojmë vijën kufitare detare, të baraslarguar nga kepat.

Duke qenë se është e njëjta metodë, i njëjti teatër detar, e njëjta hartë detare, kushdo që do ta zbatojë, me siguri do i dalë e njëjta vijë e kufirit detar, të njëjtat pika në vijën e kufirit detar, të njëjtat kepa.

Kalojmë në zbatimin e përcaktimit të vijës kufitare detare, me metodën e baraslarguar nga vija e drejtë bazë. Për këtë, me vijë të drejtë bashkojmë kepat e njëpasnjëshëm.

Fillojmë të përcaktojmë dy kërkesat e nenit Nr.10 UNCLOS-82.

Kërkesa e parë: Gjatësia e çdo vije e drejtë bazë nuk duhet të jetë më e madhe se 24 milje detare. Bëjmë matjet dhe i hedhim në tabelë. Sipas tabelës, të plotësuar nga të dy grupet, dallojmë se cilat nga vijat e drejta bazë e plotësojnë këtë kërkesë.

Kërkesa e dytë: Sipërfaqja ujore e gjirit, që formohet nga vija e drejtë bazë dhe vijës ujore bregdetare, duhet të jetë më e madhe ose e barabartë me sipërfaqen e gjysmë rrethit, që ka si rreze gjysmën e vijës së drejtë bazë. Bëjmë matjet dhe i hedhim në tabelë.

Sipas tabelës, të plotësuar nga dy grupet e punës, dallojmë se cilat nga vija e drejta bazë ka plotësuar këtë kusht dhe në tabelë është shënuar me fjalën “PO”.

Tani, fillojmë të përcaktojmë vijën kufitare detare të Shelfit Kontinental, me metodën e baraslarguar nga Vija e Drejtë Bazë, për gjiret që kanë plotësuar kërkesat dhe të shënuara me fjalën “PO”, në veri dhe në jug, të vijës fillestare ose të vijës që bashkoi kepin e Shkallës me kepin e Shën-Stefanit. Në vijën e kufirit detar të Shelfit Kontinental, ku kemi hedhur vijën bazë që plotësoi kushtet, me anë të rrathëve, do na dalë një pikë e re që është e baraslarguar nga vija bazë. Kjo pikë, bashkohet me pikën më të afërt të vijës të përcaktuar me metodën e baraslarguar nga kepat. Kështu veprojmë me të gjitha ato vija të drejta bazë, që plotësojnë dy kushtet e kërkesës së vijës bazë, që në tabelë kanë fjalën “PO”. Kjo është vija e Shelfit Kontinental me Greqinë, duke marrë si shtet përballë ishullin e Korfuzit me ishujt e tjerë.

Na mbetet të përcaktojmë vijën e kufirit detar nga kepi i Stillos, deri në pikën e takimit me vijën e kufirit detar që përcaktuam më parë me Korfuzin. Në këtë rast do përdorim metodën e baraslarguar nga kepat dhe metodën e baraslarguar nga vija e drejtë bazë me shtetin grek, që për këtë rast e kemi “përbri”.

Përcaktojmë koordinatat gjeografike të pikës ku vija e kufirit tokësor takohet me pikën ujore detare, ku ndahet kufiri detar Shqipëri-Greqi.

Protokolli i Firences dt. 27 janar 1927, përcakton se kufiri detar fillon te piramida kufitare Nr.III/79, e cila është shenja zyrtare e pranuar nga Shqipëria dhe Greqia, si dhe Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve në vitin 1925. Ajo tregon mbarimin e kufijve tokësorë dhe fillimin e kufijve ujorë Shqiptaro-Greke. Në zbatim të përcaktimit të aneksit të lart përmendur, Komisioni Ndërkombëtar, i përbërë nga përfaqësuesi i Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë, në prani edhe të përfaqësuesve shqiptarë e grekë që kanë firmosur krahas tyre, ka hartuar dhe miratuar rregullisht procesverbalin përkatës që i kushtohet piramidës kufitare Nr.III/79.

Në tekstin e tij shkruhet: “Duke filluar prej shenjës kufitare, vija e kufirit drejtohet nga Jugu-Jugperëndimi, zbret shkëmbinjtë shumë të pjerrët dhe pas rreth 10 metër takohet me bregun e detit. Pastaj ajo vazhdon deri në kufirin e ujërave territoriale, duke ndjekur një vijë normale me drejtimin e përgjithshëm të bregut të detit. Ishulli i vogël i Tongos i ngelet Shqipërisë”.

Përcaktojmë vijën e kufirit detar me metodën e baraslarguar nga kepat:

Bashkojmë pikën “A” (Shqipëri) me pikën “B” (Greqi), gjejmë pikën e mesit. Kjo pikë është pika Nr.1 e Shefit Kontinental. Nga kjo pikë hedhim vijën perpendikular me vijën “A-B” dhe me anë të rrathëve përcaktojmë vijën e baraslarguar nga kepat. Për mungesë të hartës detare e mjeteve të punës, jam munduar të përcaktoj, me përafërsi, vijën kufitare detare të Shelfit Kontinental, me metodën e baraslarguar nga kepat. Vija “A-B-E-G” është kufiri i jashtëm i ujërave detare të brendshme greke. Vija “A-C-D-F” është kufiri i jashtëm i ujërave detare të brendshme shqiptare. Hyrja e mjeteve lundruese detare në këto ujëra, sipas kodit UNCLOS-82, lejohet vetëm nga shteti përkatës, pasi gëzon sovranitet të plotë mbi këto ujëra.

Në të majtë të kësaj vije, janë ujërat territoriale shqiptare; ndërsa ujërat në të djathtë, janë ujërat territoriale greke.

Në këto ujëra, anijet e shteteve të tjera, pa lejen e shtetit përkatës, nuk kanë të drejtë të peshkojnë, të bëjnë studime shkencore, si për dendësinë e ujërave, drejtimin e rrymave; temperaturën e ujit; llojet e specieve etj., të bëjnë kërkime mineralesh, si naftë, gaz etj. Mjetet lundruese përfshi dhe anijet luftarake, kanë të drejtë të bëjnë “lundrim paqësor”, sipas kërkesave të UNCLOS-82.

Vija A;1;2;3;4;5, është vija kufitare detare e Shelfit Kontinental, e baraslarguar nga kepat, njëkohësisht dhe e ujërave territoriale.

3

Vazhdojmë të zbatojmë deri sa kjo vijë e kufirit detar të takohet me vijën veri-jug.

Me mbarimin e kësaj metode, kalojmë në përcaktimin e vijës kufitare detare të Shelfit, me metodën e distancës së baraslarguar nga vija e drejtë bazë.

Sipas nenit 10 të kodit, bëjmë matjet përkatëse, plotësojmë tabelën dhe në ato vija bazë që ka fjalën “PO”, fillojmë dhe zbatojmë metodën e baraslarguar nga vija bazë. Pikat e reja të dala nga këto matje, i bashkojmë me pikat më të afërta të vijës së kufirit detar, të përcaktuar më parë me metodën e baraslarguar nga kepat.

Koordinatat gjeografike të kepave, pasi i kemi verifikuar me Institutin Gjeografik, ia dërgojmë Komisionit Grek, me shkresë zyrtare dhe kërkojmë të na dërgojnë koordinatat gjeografike të kepave të bregdetit të tyre. Këto koordinata gjeografike duhet të verifikohen nga Instituti Gjeografik.

Grupi i punës kontrollon të dhënat e palës greke, përcakton ku ka mospërputhje dhe si grup arrijnë në një konkluzion, për një zgjidhje të drejtë, sipas kodit UNCLOS-82 të ndryshme.

Nga media është bërë e ditur, se grupi i punës nuk ka zbatuar Urdhrin Nr.135 Dt. 23.08.2007 të Kryeministrit, sidomos kjo për çështjen nëse është ose jo gjiri i Sarandës një gji historik. Këtë e thekson edhe z.Petoshati.

Së pari, nuk kam dijeni, nëse ka një urdhër të Kryeministrit, që e shpall gjirin e Sarandës një gji historik.

Di se në detin Mesdhe janë shpallur dy gjire historike, gjiri i Tarantos, me gjatësi të vijës bazë 60 milje detare, shpallur nga qeveria italiane dhe gjiri i Sidrës, me gjatësi të vijës bazë 306 milje detare, shpallur nga shteti i Libisë (Kadafi).

Këto dy gjire ende nuk janë njohur nga shumë shtete, pasi gjatësia e vijës bazë është disa herë më madhe se ajo që përcaktohet në UNCLOS-82 (24 milje detare).

Kam mendimin se ato vendime qeveritare që merren në kundërshtim me vendimet e organeve Ligjvënëse Ndërkombëtare, krijojnë situata të rrezikshme e me pasoja të rënda.

Në vitin 1985, më kujtohet se anijet e Flotës së 6-të Amerikane, Aeroplanmbajtësja “Amerika”, e shoqëruar me anijet e tjera mbrojtëse, brenda rregullave ndërkombëtare, hyri në ujërat neutrale (ndërkombëtare) të gjirit të Sidrës. Pra, sipas Kadafit, ajo hyri në mënyrë të paligjshme, pasi kaloi vijën e drejtë bazë, ndërkohë që ajo ishte 12 deri 13 herë më e gjatë se ajo e përcaktuar në KN detar. Për këtë, urdhëroi Flotën Ajrore të Libisë t’i ndalonte dhe në të pastajmen t’i ndëshkonte. Në fakt u vetëndëshkua. Pasojat mund të ishin edhe më të mëdha.

Në media disa janë shprehur se nuk është e arsyeshme dhe e nevojshme që numri i koordinatave të shkoj deri 150, siç ka ndodhur me marrëveshjen e shpallur nul me Greqinë. Theksoj se pikat e vijës së kufirit detar të Shelfit Kontinental, nuk krijohen me dëshirë e mënyrë subjektive, por janë objektive, u përgjigjen situatës detare e bregdetare. Një mendim i tillë të çon në pesimizëm ndaj organeve të Drejtësisë, të Gjykatës Ndërkombëtare të Detit, por në rastin konkret edhe ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila duke u ballafaquar me disa kërkesa që nuk ishin zbatuar, e bëri nul marrëveshjen.

Z.Petoshati, por ka edhe të tjerë, kanë mendimin se me këtë Marrëveshje është gabuar dhe kjo tani nuk ka diskutim. Gabimi kryesor ligjor ka qenë mungesa e përcaktimit të vijës së drejtë bazë. D.m.th grupi bëri gabim që shkoi pa vijë të drejtë bazë. Megjithëse, pranon që Greqia ka shkuar pa vijë të drejtë bazë. Por kur thotë se me Italinë kemi hyrë në bisedime me vijë bazë të paracaktuar, nuk qëndron. Më lart tregova metodën, rrugën që zbatuam me Italinë.

Duhet të kuptohet se Komisioni, në përcaktimin e vijës kufitare të Shelfit Kontinental, bazohet në zbatimin me rigorozitet te kërkesat e kodit UNCLOS-82, që rekomandon dy metodat (metodën e distancës së baraslarguar nga kepat dhe metodën e distancës së baraslarguar nga vija e drejtë bazë. Kjo realizohet sipas metodës së lartpërmendur dhe jo në të kundërt. Në përdorimin e metodave, rruga të çon në përcaktimin edhe të kepave edhe vijës së drejte bazë (që plotësojnë dy kërkesat) e nenit Nr.10 të KND-82. Gabimin mos e kërkoni te ajo, se Komisioni shkoi pa vijë të drejtë bazë, por te fakti se sa rigoroz kanë qenë në zbatimin e metodave, se sa transparent kanë qenë në procesin e bërjes së Marrëveshjes.

Deri tani, dy grupet e punës nuk kanë publikuar asnjë të dhënë. Me fakte e argumente të paraqesin se pika Nr. “X” ose “Y”, nuk është e baraslarguar nga Kepat “X”- “Y”, ose nga vija bazë. Kështu mund të thuhet edhe për plotësimin e tabelave përkatëse, për koordinatat e kepave etj., se sa reale janë.

Ka mendime, se është gabim të mbyllet gjiri i Ftelisë, pasi është gji i përbashkët për të dy shtetet. Në skemën e bërë me përafërsi, u udhëhoqa nga mendimi, për të sqaruar se si përcaktohet kufiri i vijës detare me shtetin “përbri”. Komisioni ka si detyrë të përcaktojë vijën e kufirit detar të Shelfit Kontinental dhe jo të mbylli ose hapi gjire, veprimet brenda gjirit çdo shtet i bën sipas kërkesave të Kodit Ndërkombëtar.

Nuk e di se sa mund të ndihmojnë këto mendime, komisionin që do krijohet për negocimin e Marrëveshjes së Shelfit Kontinental Shqipëri-Greqi. Kam dëshirë ta mbyllin sa më mirë, prandaj u uroj suksese.

*****

Beqir Gërbi /  Shefi i Shtabit të Flotës Detare (1981-1990) dhe Kryetar i Komisionit për përcaktimin e vijës së Shelfit Kontinental Shqipëri-Itali (1982-1990).

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne