Si erdhi Ramazani në Amerikë nga skllevërit afrikanë

nga Khaled A. Beydoun.

Kjo fillimjavë shënoi fillimin e Ramazanit. Gati një e katërta e botës do të ulet në tryezë me të perënduar dielli dhe do të hanë ushqim pas shumë orësh abstenim.

Vetëm në Amerikë, janë afro 8 milionë muslimanë që agjërojn muajin e Ramazanit. E konsideruar si sakrificë e përvjetshme për trupin dhe shpirtin, Ramazani shoqëron për afro 17 orë në ditë qytetarë të ndryshëm të Amerikës, varësisht nga territori ku jetojnë.

Islami është besimi me rritjen më të shpejtë në vend dhe besimi i dytë më i praktikuar në 20 prej 50 shteteve të bashkuara. Dhe këto ndryshime demografike bënë që një imam i shquar në Los Angeles të komentoj se “Ramazani është një traditë e re amerikane”.

Por jo të gjithë pajtohen me imamin në fjalë.

Shkencëtarët dhe historianët vlerësojnë se 15 deri në 30 për qind, ose “600,000 deri në 1,2 milionë” skllevër që populluan Amerikën ishin muslimanë. Dyzet e gjashtë përqind e skllevërve u rrëmbyen nga rajonet perëndimore të Afrikës, të cilat asokohe kishin një numër të konsiderueshëm muslimanësh.

Këta muslimanë të skllavëruar u përpoqën t’i plotësonin praktikat e besimit të tyre, sidomos agjërimin e Ramazanit, namazin dhe iftaret e përbashkëta. Por kjo nuk ishte e lehtë, pasi u përballën me kode gjithëpërfshirëse të skllevërve që lidhnin veprimtarinë fetare me mosbindje dhe rebelim.

Megjithëse Kur’ani “lejon një besimtar të abstenojë nga agjërimi nëse ai ose ajo është larg shtëpisë ose i përfshirë në punë të rëndë”, shumë muslimanë të skllavëruar demonstronin devotshmërinë e tyre të ushqyer me mall, duke zgjedhur të agjërojnë edhe në skllavëri.

Për shembull, Kodi skllav i Virxhinias në vitin 1723 konsideroi tubimin e pesë e më shumë skllevërve një “takim të paligjshëm dhe të trazuar”, i thirrur për të komplotuar përpjekjet e rebelimit. Çdo shtet në Jug kodonte ligje të ngjashme që ndalonin mbledhjet e skllevërve, të cilët ndikuan disi në harrimin e traditës së muslimanëve afrikanë që të agjërojnë, e më pas të tubohen për të ngrënë bashkë.

Shkelja e këtij rregulli i ka ekspozuar ndaj dënimit barbar, shpesh madje edhe vdekjeprurës. Sidoqoftë, guximi për të ndjekur agjërimin e muajit të shenjtë përballë rrezikut të rëndë nxjerr në pah devotshmërinë supreme të skllevërve.

Megjithatë, kjo histori është injoruar në masë të madhe nga udhëheqësit muslimanë amerikanë dhe nga laikët, duke u fshirë nga narrativa moderne muslimano-amerikane.

Amerika muslimane ishte pothuajse tërësisht e zezë gjatë epokës së para-luftës. Sot ajo qëndron si bashkësia më e larmishme muslimane në botë. Sot, afrikano-amerikanët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të komunitetit, së bashku me muslimanët me origjinë afrikane apo arabe. Amerikanët latinë janë një popullsi demografike me shpejtësi në rritje në komunitet, duke siguruar që muslimanët në Amerikë të jenë një mikrokozmos i multikulturalizmit të përgjithshëm i vendit të tyre.

Në SHBA sot, tryezat e iftareve të Ramazanit janë të mbushura me ushqime dhe ëmbëlsira arabe ose pakistaneze.

Megjithatë, shumë amerikanë muslimanë mbarojnë agjërimin ditor me ushqime që nuk lidhen me traditën e tyre, ushqime qoftë edhe meksikane apo kineze, por me standart hallall.

Diversiteti musliman në këtë vend e ka pozicionuar Ramazanin në një traditë multikulturore amerikane. Shtrirja e diversitetit racial dhe kulturor në Amerikën muslimane sot është e pashembullt, duke e vënë Ramazanin e këtij viti dhe Ramazanët e tjerë në rrezik nga humbja e identitetit fillestar të Islamit në SHBA.

Ky multikulturalizëm islamo-amerikan vjen me shumë sfida: Për shembull, intraracizmi, epërsia arabe dhe racizmi anti-zi parandalojnë komunikimin brenda dhe jashtë xhamive amerikane. Këto trende të mjerueshme përjetësojnë fshirjen e tregimit të skllavit musliman.

Integrimi i kësaj historie jo vetëm do të zbutë racizmin dhe do të lehtësojë kohezionin musliman-amerikan, por do të zbuloj gjithashtu rrënjosjen e thellë të besimit, dhe muajit më të shenjtë në tokën amerikane.

Këtë Ramazan, duke nderuar kujtimin e amerikanëve të parë muslimanë dhe luftën e tyre për liri – dhe duke ndarë historinë e tyre me të dashurit tanë në tryezën e iftarit -bëjmë një hap ideal drejt rishkrimit të kapitullit të humbur të historisë islamo-amerikane në vetëdijen tonë kolektive.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne