Si mund ta zgjidhë Evropa krizën e emigracionit?

Mbrojtësit e projektit evropian duhet të qëndrojnë pas një reagimi më të rregullt dhe më rigoroz ndaj dukurisë së emigracionit të paligjshëm, ndërsa krijojnë mënyra të reja sesi emigrantët të kontribuojnë në të ardhmen e Evropës

Le t’a fillojmë me lajmin e mirë:Rreth 150.000 emigrantë tentuan të hyjnë në mënyrë të paligjshme në Evropë vitin e kaluar. Kjo shifër, përfaqëson një rënie prej 92 për qind që nga viti 2015. Numri i njerëzve që kërkojnë azil në kontinentin e vjetër, në vitin 2018 ishte 646.000, ose më pak se gjysma e asaj që ishte tre vjet më parë.

Në terma numerikë, kriza e emigracionit në Europë duket ka mbaruar. Në rrafshin politik, kjo çështje mbetet më përçarëse si kurrë më parë. Përpara zgjedhjeve të këtij muaji në Parlamentin Europian, populistët pretendojnë se shoqëritë evropiane ndodhen të rrethuara, duke bllokuar përpjekjet për të dalë me një politikë të gjerë në kuadrin e BE-së për kontrollin e këtij problemi. Në një kohë kur tkurrja e popullsisë kërcënon rritjen e Evropës, axhenda anti-emigrantëve e së djathtës ekstreme, është sa ekonomikisht katastrofike aq edhe cinike. Sabotimi i saj e saj, kërkon që udhëheqësit europianë të dëshmojnë se mund të shmangin ngërçet kaotike në trafikun e qenieve njerëzore, sikurse ai që e tronditi Evropën në vitin 2015 – dhe të përpiqet të rregullojë pranimin e të ardhurve në mënyrë të rregullt.

Kjo do të thotë hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse të përbashkët për sigurimin e kufijve të Evropës, reformimin e sistemit të saj të azilit, dhe hapjen e rrugëve të reja për emigracionin e ligjshëm. Në fushën e mbrojtjes së kufijve, BE-ja ka shënuar një përparim në rritje. Komisioni Evropian, ka propozuar rritjen e buxhetit të Agjencisë Kufitare dhe Rojeve Bregdetare Evropiane në 11.3 miliardë euro për 6 vite duke filluar nga viti 2021, nga rreth 320 milionë euro këtë vit. Ndërsa kjo është një lëvizje premtuese, agjencia ka nevojë për më shumë kompetenca – dhe mbështetje nga shtetet anëtare – që të funksionojnë në mënyrë efektive. Komisioni dëshiron që stafi i agjencisë të rritet deri në 10.000 persona vitin e ardhshëm, por duhet ende të bindë qeveritë që të ofrojnë personel për këtë forcë sigurie, dhe të miratojnë standardet e përbashkëta të trajnimit.

Zyrtarët kufitarë dhe ata bregdetarë të BE-së, duhet të jenë gjithashtu të autorizuar të kryejnë detyra të caktuara krahas autoriteteve kombëtare, siç janë patrullimi i kalimeve kufitare, dhe kryerja e kontrolleve mbi identitetin e emigrantëve. Në mungesë të një force të përshtatshme patrullimi, BE është e papërgatitur për krizën e ardhshme. Ndërkohë, rregullat e unionit duhet të racionalizohen, përmes një sistemi të përbashkët në mbarë BE-në për shpërndarjen e azilkërkuesve në të gjitha shtetet anëtare, në vend se të kërkohet që kërkesat e tyre të përpunohen në vendet ku ata hyjnë fillimisht. Kjo do të bënte që shtetet në vijën e frontit, si Italia dhe Spanja, të mos bartin një barrë të shpërpjestuar për strehimin dhe përpunimin e azilkërkuesve.

Nëse qeveritë populiste si ato në Hungari dhe Poloni, refuzojnë të pranojnë pjesën që u takon, BE-ja duhet të ecë përpara edhe pa to. Presidenti francez, Emanuel Makron, ka lënë të kuptohet se do të anulohet anëtarësimi i Hungarisë dhe Polonisë në zonën Shengen, nëse këto vende refuzojnë të marrin azilkërkuesit që u takojnë. Ndërsa një hap i tillë ekstrem, nuk ka gjasa të merret në realitet, BE-ja nuk duhet të hezitojë të ndërmarrë masa ndëshkimore të tjera ndaj qeverive, që kundërshtojnë respektimin e rregullave të përbashkëta. Për shembull, Brukseli mund të kushtëzojë fondet e rregullimit strukturor, duke pasur si prioritet shtetet anëtare që respektojnë rregullat e përbashkëta të azilit. Përballë frikës nga emigrantët, zërat e moderuar duhet ta vënë theksin tek interesat afatgjata të Evropës, për tërheqjen e punëtorëve nga pjesa tjetër e botës. Duhet të harmonizohet procesi për marrjen e vizës “Card Blue”, një program për punëtorët me kualifikim të lartë, që u lejon atyre të punojnë në çdo shtet anëtar përveç Britanisë, Danimarkës dhe Irlandës.

Brukseli duhet të ofrojë financim, për ndërtimin e partneriteteve ndërmjet qeverive individuale dhe vendeve jo-evropiane, që synojnë certifikimin e punëtorëve, të cilët mund të plotësojnë nevojat kritike të tregut të punës. Për t’u “shitur” votuesve përfitimet nga pluralizmi, liberalët duhet të njohin kufijtë e saj. Bashkimi Evropian, ka nevojë të përshpejtojë asimilimin e grupeve të emigrantëve në vendet pritëse, përmes rritjes së shpenzimeve për integrimin, dhe të programeve mësimit të gjuhës. Ai duhet të investojë shumë më tepër energji diplomatike në sigurimin e marrëveshjeve me vendet e Afrikës dhe Lindjes së Mesme, për të pranuar dhe mbrojtur azilkërkuesit, kërkesat e të cilave mohohen nga vendet e unionit. Retorika ksenofobike e populistëve të krahut të djathtë, është e rrezikshme dhe vetë-mposhtëse. Por, ajo ka rezonjuar me ankthet e ligjshme të opinionit publik, rreth ritmit të ndryshimeve sociale. Mbrojtësit e projektit evropian duhet të qëndrojnë pas një reagimi më të rregullt dhe më rigoroz ndaj dukurisë së emigracionit të paligjshëm, ndërsa krijojnë mënyra të reja sesi emigrantët të kontribuojnë në të ardhmen e Evropës. (Bloomberg View)/bota

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne