Si po e ndihmojnë emigrantët Shqipërinë

Ndonëse kriza e gjatë ekonomike e Eurozonës la të papunë edhe mijëra shqiptarë që jetojnë jashtë, dërgesat e emigrantëve vazhdojnë të mbeten një burim i rëndësishëm të ardhurash për ekonominë e Shqipërisë.

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se, gjatë dekadës së fundit, pra për periudhën 2007-2016, emigrantët shqiptarë kanë dërguar 7 miliardë euro në Shqipëri. Kjo shifër është thuajse sa 70 për qind e të gjithë prodhimit kombëtar të ekonomisë shqiptare, ose sa dy buxhete shteti bashkë.

Dërgesat e emigrantëve arritën kulmin në vitin 2007, kur regjistruan shifrën 951 milionë euro. Por, pasi Eurozona u përfshi nga kriza financiare, e cila goditi veçanërisht dy vendet fqinje, Greqinë dhe Italinë, shumë emigrantë shqiptarë humbën vendet e punës.

Rrjedhimisht, dërgesat e tyre në atdhe nisën të rrudhen vit pas viti, duke arritur minimumin në 2013-n, kur ranë në shifrën 546.8 milionë euro.

Megjithatë, në 3 vitet e fundit, dërgesat e emigrantëve kanë filluar të rriten sërish, ndonëse me ritme të lehta dhe larg niveleve të para krizës. Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar emigrantët shqiptarë dërguan 616 milionë euro, ose 12 për qind më shumë sesa niveli minimal i regjistruar në 2013-n.

Edhe pse në raport me prodhimin kombëtar, dërgesat e emigrantëve nuk e kanë më rëndësinë që kishin në vitet para krizës, për mijëra familje ato mbeten një burim kritik të ardhurash, që zbut varfërinë dhe problemet sociale.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne