Si u bë prift Fan Noli

Shkruan Xhaferr Sadiku

Në fillim të shekullit XX-ë, u rrit në mënyrë të ndjeshme numri i emigrantëve shqiptarë në SHBA. Për të majtur kontaktet me atdheun dhe për të rritur ndjenjën kombëtare tek emigrantët, Sotir Peci botoi në Boston gazetën “Kombi”, në rubrikat e së cilës pasqyrohej jeta në atdhe. Mirëpo rezultatet nuk ishin ato që prisnin patriotët. Fan Noli dhe Sotir Peci menduan se më mira udhë për të bërë propagandë ishte udha e fesë. Për këtë, ata vendosën të themelonin në Boston një kishë orthodhokse shqip dhe me gjuhë meshimi shqip. Për prift u zgjidh problemi sepse Noli mori përsipër të bëhej vet prift.
Mirëpo lindnin dy çeshtje: kush do ta bënte prift dhe i duhej një grua për priftëreshë.

Këto çeshtje ai i trajoi me shqiptarët e shoqërisë “Bashkimi” të Bukureshtit. Siç mësojmë nga një letër e tij, që mban datën 20 shkurt 1907, dërguar shoqërisë në fjalë, për çeshtjen e parë ai mendonte të bëhej prift nga kreu i kishës ruse në SHBA. Por edhe kjo paraqiste vështirësi pasi që Noli nuk dinte rusisht dhe asnjë gjuhë sllave, gjë që do ta ndihmonte për të mësuar shpejt rusishten. Ai mendoi një variant të dytë duke i pyetur shqiptarët e Rumanisë nëse mund të bëhej prift nga kisha rumune. As këtë gjuhë nuk e dinte, por thoshte se do ta mësonte shpejt dhe u kërkoi një metodikë të gjuhës rumune në frëngjisht dhe një fjalor rumanisht-frengjisht.

Interesant ishte qëndrimi i Nolit për çeshtjen e dytë. Mungesa e prifrëteshës do ta pengonte të bëhej prift, se priftëresha po të ishte e huaj, thoshte Noli, kundërshtarët e tij do të çpifnin: “Ah! Një herë vate na mori një grua t’udhëve(!!) dhe na e bëri priftëreshë!” -Pa priftëreshë ca më mirë për mua, -theksonte ai, -se as ndërment s’e kam të martohem, po ca më keq për punën time, se meqënë se jam i ri, prapë armiqtë do kenë të thonë : “Ua! Po prift është ay? Po ai rend pas grave! Nuk e paska një grua ditëziu… etj, etj.” Dhe kështu nevoja më shtërngon të bëhem prift me priftëreshë dhe me priftëreshë shqiptare.

Ai ua la në dorë shqiptarëve të Rumanisë t’i gjenin një grua shqiptare, se puna nuk priste. Përpiquni për këtë punë, -shkruante Noli, se “atdhetarëve këtu u kemi dhënë fjalën që do të bëhet dhe e presin me gojë hapët dhe neve nuk e dimë si t’i vemë fre kësaj flake”.
Nuk ka rëndësi si vepruan më tej, por ajo që dimë me siguri është fakti qe Fan Noli u bë prift nga kisha ruse e Ameriksës, madje edhe pa u martuar.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne