Sikur Kosovën ta njihte Izraeli…!

Nga Artan Fuga

Shënim

Në nënshkrimin e marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës anash tavolinës të Presidentit Trump, në Washington, në tekst nuk kishte sigurisht një artikull që ta sanksiononte se Kosova do të kishte edhe njohjen nga Izraeli.

Sigurisht nuk mund ta kishte se çfarë hyn Izraeli në sherret mes serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan, mjaft ka të vetat atje ku është!

Por, njoftimi nga ana e Presidentit amerikan se Izraeli do ta bëjë këtë njohje për Kosovën kishte një rëndësi të madhe me kuptimet dhe nënkuptimet e veta që diplomacia kosovare dhe mbase edhe ajo e Shqipërisë duhet besoj të dijë t’i lexojë si duhet! Realisht dhe jo sipas parimit të ëndërrimit.

Semantikisht shumë interesante që një anoncim jashtëtekstual integrohet komunikativisht në një nënshkrim teksti. Teksti dhe jashtëteksti plotësojnë njeri tjetrin. Nuk thonë kot që asnjë tekst nuk kuptohet nëse nuk njihet konteksti.

Ky bashkërendim i tekstit me jashtëtekstin shumë i rëndësishëm. Ai tregon që çështja e Kosovës është globale dhe futet në të gjithë rrjetën e marrëdhëdhënieve diplomatike dhe gjeopolitike globale. Premtimi i njohjes të Kosovës nuk u bë nga Izraeli vetë, por nga Shtetet e Bashkuara që dhanë lajmin e mirë për shtetin e Kosovës. Ishte si një lloj guri peshoreje që vihet në balancë për të barazpeshuar më mirë dy anët. Kjo ndofta ka kuptimin që pranohet që ana kosovare në tekst ndofta mund të kishte më shumë sesa është e shkruar. Kjo sepse as u ça territorialisht, por as u njoh nga Serbia aty. Dhe poqese nuk merret premtimi i njohjes aty vështirë se do ta marrë gjetiu së shpjeti. Por, çfarë nuk bën vaki.

Një lloj disbalance në tekst, u ekuimibrua me një premtim jashtë tekstit që Shtetet e Bashkuara si vlerë e “huazuan” nga Izraeli.

I keni parë ata tregtarët zemërmirë kur u blen pjeshkë a fiq? Kur shohin se ju jeni një klient i mirë dhe keni blerë shumë fruta, pra marrëdhënia është e bollshme, jashtë peshores, të hedhin edhe nja dy a tre kokrra të mira pjeshke a fiqsh në trastë dhe ti je i gëzuar!!!

Tani të presim që Izraeli ta njohi zyrtarisht Kosovën me të gjitha procedurat e veta sepse atëhere sigurohemi përfundimisht. Dhe pastaj ta forcojë dhe bëjë të qendrueshme këtë njohje jo si ato shtete që pasi e njohën Kosovën, pastaj e tërhoqën këtë njohje. Nuk është sigurisht rasti, por në gjeopolitikë gjithçka mendohet.

Dhe pasi iu premtua Kosovës, kjo edhe Izraeli duket sikur mori edhe ai shpërblimin e vet sepse Serbisë anash tavolinës, në anën e djathtë të saj, ju tha se ambasada e saj zhvendosej në Jeruzalem!!! Ta shohim! Bëri teatër qeveritari serb kur u duk sikur u habit për këtë anoncim, apo u habit vërtet!

Pse njohja nga ana e Izraelit, nëse bëhet, ka kuptim global, pra u bë aty si anoncim?

Sepse për Kosovën është shumë më tepër sesa njohja nga ana e çdo shteti tjetër. A do të dijë ta kuptojë dhe përfitojë ajo, kjo është pastaj çështje tjetër!

E para, sepse përtej retorikës që e konsideroi Kosovën si shtet mysliman a diçka e tillë, me njohjen nga Izraeli konfirmohet pastaj se është e kundërta, konfirmohet e kundërta e propagandës antikosovare që pretendon në opinionin masiv se Kosova është shtet me prirje islamike. Eshtë një argument i fortë në opinionin publik perëndimor që në fakt nuk mendon gjatë, por i bie shkurt, dhe jo rrallë i ha rrenat për fiq a pjeshkë.

E dyta sepse Izraeli është jo vetëm shtet, por edhe vend i një kombi me lidhje të çelikta të antarëve të tij kudo që ata ndodhen. Komunitetet e fuqishme hebre në cdo vend të ndodhen, veçanërisht në Perëndim, janë, dihet, shumë sensibël, ndaj politikës që ndjek vendi i tyre i adhurimit dhe “Jerulazemi Qiellor”.

E treta, sepse komuniteti hebre në të gjitha vendet e fuqishme të botës, kryesisht, ka ndikim të fuqishëm në media, shkencë, banka, financë, etj. Njohja nga Izraeli e Kosovës i hap pika komunikimi me këto universe të pasurisë dhe vendimmarrjes.

E katërta, Kosova, sigurisht ka marrëdhënie shumë të mira me Turqinë, tradicionalisht, si edhe me vendet arabe. Në këtë mënyrë me njohjen edhe nga Izraeli, Kosova do të paraqitet në imazh dhe në politikën reale si një vend e shtet normal në arenën politike botërore përtej ndarjeve myslimanë versus hebrenj që nuk është një fushë tensionesh që të ketë arsye ta prekte atë. Dora diplomatike e Kosovës është më e çliruar sesa më parë!

Ja këto mendoj të dashur vëllezër kosovarë!

Të lexojmë tekstin dhe jashtëtekstin! Shtetet e sotme të ballkanit nuk janë thjesht shtete kombëtare, por shtete kombëtare brenda një fushe influencash strukturuese aleancash ndërkombëtare! Kur Gjermani, Franca, Italia etj., e ushtrojnë sovranitetin e tyre duke u vetëkufizuar me mjeshtri të fituar në qindra vite brenda Bashkimit Europian, mjeshtria e shteteve ballkanike është të ushtrojnë politikën brenda dhe jashtë vendit me një sovranitet të vetëpërmbajtur, pra të fuqishëm dhe efektiv!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne