Sikurse Mohamed Morsi, edhe djali i tij varroset gjatë natës

Abdullah Morsi, djali i presidentit të parë demokratik të Egjiptit, Mohamed Morsi, i cili të mërkurën ndërroi jetë si pasojë e një sulmi në zemër, u varros gjatë orëve të natës në afërsi të babait të tij me pjesëmarrje të lejuar vetëm për familjen dhe disa miq të afërt, raporton Anadolu Agency (AA).

Avokati i familjes Morsi, Abdulmunim Abdulmaksud, tha në një deklaratë për AA se ceremonia e varrimit për 25-vjeçarin Abdullah Morsi është mbajtur nën masa të rrepta të sigurisë dhe se leje për pjesëmarrje i është dhënë vetëm një rrethi të ngushtë, përfshirë vëllain e burgosur Osama Morsi, nënën e tij, vëllezërit dhe motrat, xhaxhallarët dhe disa miq të afërt.

“Me vendim të Kryeprokurorisë së Egjiptit, kufoma e Abdullah Morsit, e cila u mor nga një spital në Kajro, u dërgua në morgun Zeynhum. Pas namazit të xhenazes që u fal aty nga ana e familjes, ai u varros pranë varrit të babait të tij në lagjen Medinet Nasr në lindje të Kajros”, tha Abdulmaksud.

Ndërkohë, autoritetet egjiptiane ende nuk kanë dalur me shpjegim zyrtar lidhur me shkakun e vdekjes së Abdullah Morsit.

Abdullah Morsi vdiq në orët e vona të mërkurën në një spital të Egjiptit si pasojë një sulmi në zemër, thanë burimet familjare për AA.

Abdullah Morsi ishte një kritik i hapur i qeverisë egjiptiane dhe kishte akuzuar presidentin egjiptian Abdel-Fattah al-Sisi për vrasjen e babait të tij. Ai është burgosur dhe liruar disa herë me akuza për të cilat vëzhguesit ligjorë thonë se ishin të fabrikuara.

Mohammad Morsi, presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në Egjipt, vdiq nga një sulm i papritur në zemër në qershor gjatë një seance gjyqësore. Ai u përmbys përmes një puçi ushtarak të udhëhequr nga presidenti aktual Abdelfattah al-Sisi në vitin 2013./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne