Sindikata policore kërkon nga qeveria të konsultohet për marrëveshjen e re kolektive

Sindikata e Pavarur e Policisë në Maqedoni, e cila numëron mbi 2.400 anëtarë, kërkon që të njihet si subjekt i cili përfaqëson punonjësit policorë.

Kryetari i kësaj sindikate, Goce Dellçev Todev, tha se qeveria është duke përgatitur një ligj të ri për marrëdhenie pune dhe një marrëveshje të re kolektive, në të cilën ajo nuk do të konsultohet për kushtet, ku si pasojë mund të rezultojë me marrëveshje diskriminuese për punonjësit policorë të cilët i përfaqëson.

Në një deklaratë për mediat para godinës së qeverisë, ku kishte ardhur për të shprehur revoltën e Sindikatës, Todev tha se organizata e tij është lodhur nga bredhja nëpër labirintet burokratike duke shëtitur nga një ministri në një tjetër, në pamundësi për t’u legjitimuar si organizatë gjatë përpilimit të marrëveshjes kolektive.

“2.400 është numri i pjesëtarëve të cilët paguajnë anëtarësinë dhe ky është numri të cilin e kërkonin nga ne vite më parë dhe tani meqë e dorëzuam, që na bën legjitim dhe reprezentues, shohim se ata (pa praninë tonë) do të nënshkruajnë marrëveshje kolektive ndërsa synojmë BE-në, pra kjo nuk do të kalojë”, tha Todev.

Ai tha se nuk dëshiron të përsëritet diskriminimi i punonjësve arsimorë që nuk janë pjesë e Unionit të Sindikatave të Pavarura të Maqedonisë (USPM), me sqarimin se arsimtarët që janë pjesë e USPM-së gëzojnë më shumë beneficione nga ata që nuk janë.

Todev kërkon takim me kryeministrin Zoran Zaev, për t’i sqaruar siç thotë, anomalitë gjatë punës së ministrave të tij që janë kompetent për këtë çështje.

“Ligji është i qartë dhe thotë se nëse Sindikata plotëson cenzusin prej 20 për qind, atëherë Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ose ministri ku Sindikata vepron është i deryruar të lëshojë dokumentin se është përfaqësues dhe të ftojë Sindikatën për të nisur procesin e marrëveshjeve kolektive”, tha Todev.

Ai tha se nëse nuk merren parasysh vërejtjet e tyre, nga shtatori do të dalin në rrugë për të shprehur revoltën e tyre.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne