Rajoni

Sinodi i Shenjtë i Kishës Greke kundërshton projektligjin për kujdestarinë e fëmijëve nga homoseksualët

Sinodi i Shenjtë i Kishës Greke kundërshtoi ashpër projektligjin e miratuar në parlamentin grek për të lejuar kujdestarinë e fëmijeve nga çifte të të njëjtit seks. Në komunikatën e bërë publike Sinodi ironizon vendimin e parlamentit duke thënë se sërish “mbizotëroi korrektësia politike” kundër rendit natyror dhe të drejtave të fëmijëve”

“Pas kalimit të projektligjit nga Ministria e Punës që u jep të drejtën çifteve të të njëjtit seks të marrin kujdestarinë e fëmijëve, Sinodi i Shenjtë shpreh kundërshtimin e fortë ndaj kësaj zgjidhje të shtetit për të privuar disa fëmijë nga e drejta e rritjes në një familje normale me standardet e atësisë dhe mëmësisë. Nuk është rastësi që sot populli grek ende beson te familja si një vlerë thelbësore”-thuhet në deklaratë.

Më tej Kisha kujton se është institucioni më i madh i popullit grek dhe për këtë arsye ka të drejtën e diskursit publik, si çdo institucion tjetër social, pa pretenduar imponimin e pikëpamjeve të saj nga shoqëria.

Projekligji u miratua pasi mori mbështetjen e 161 deputetëve nga SYRIZA, dhe dy parti të tjera, ndërsa 103 deputetë votuan kundër.  Diskutimet dhe më pas votimi u ndoqën në lozhën e parlamentit nga përfaqësues të komunitet LGTB, mes të cilëve edhe Jason-Antigoni Dein, i cili është personi i parë që i ka paraqitur gjykatës greke kërkesën për t’i hequr gjininë nga çertifikata e tij e lindjes, duke shtuar pranë emrit Jason edhe shtesën Antigoni.

Nisma e qeverisë greke ka provokuar një debat të ashpër, të cilin pas pak vitesh mund ta shohim edhe në Shqipëri në kuadër të përmbushjes së standardeve europiane për mosdiskriminimin gjinor.

OPINIONE

INTERVISTA