Sintezë e madhe e qytetërimeve

Shkruan: Hysen MATOSHI, Prishtinë

“Gëzimi për pavarësinë e Kosovës edhe për ne ka qenë gëzim e krenari e madhe dhe Turqia gjithnjë ka qenë përkrah Kosovës në udhën e saj të re”. (Ahmet Davutoğlu, Qytete dhe qytetërime, përktheu nga turqishtja Rubin Hoxha, botoi Logos-A, Shkup – Prishtinë – Tiranë, 2016, fq. 10.) Këto janë disa nga fjalët që autori i librit, dijetari, politikani, diplomati, burrështetasi, Ahmet Davutogllu, i ka shkruar në parathënien e veçantë kushtuar botimit shqip të librit të tij “Qytete dhe qytetërime”, i cili ishte edhe botimi i parë në një gjuhë tjetër.

Këto fjalë nga parathënia e botimit shqip të librit “Qytete dhe qytetërime” marrin edhe më shumë kuptim në përurimin që u bë në kuadër të shënimit të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, të cilin e shënojmë duke pasur mes nesh miq, mbështetës, kontribuues të rëndësishëm në rrugën e re të Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike.

Qytetet në rolin e mësuesit

Lidhja e autorit Ahmet Dautogllu me qytetin, sikundër theksohet që në hyrje, formësohet që në fëmijëri. Dy qytete kanë qenë mësuesit e tij të hershëm, që gjithsesi e kanë udhëhequr dhe kanë pasur ndikim të theksuar në periudhat e mëvonshme në perceptimin e modeleve të qyteteve të mbarë globit: Konja, qyteti i lindjes, i cili ia ka mësuar qetësinë, meditimin, thellësinë e përsiatjes; dhe Stambolli, i cili ia ka mësuar harmoninë, atë lloj shkrirjeje funksionale ndërmjet perceptimit hyjnor, historik dhe socio-kulturor.

Duke pasur një qetësi kërkuese të admirueshme dhe duke e pasur një model të harmonisë së përbërësve të ndryshëm kulturorë, autori ka përfunduar në një qasje diametralisht të kundërt me atë që e hasim te Maks Veberi, si përfaqësues i historiografisë urbane botërore, e cila nëpërmjet një simplifikimi tipologjik i klasifikon qytetet vetëm në “oksidentale” dhe “orientale”. Përballë kësaj qasjeje ekskluzive, përjashtuese për identitete të tjera fetare, gjuhësore, etnike, ideologjike etj., Ahmet Davutogllu e ndërton perceptimin inkluziv, duke e kundruar në kompleksitetin e tyre identitetin e qyteteve dhe të qytetërimeve, natyrisht të ilustruar, ku më mirë, sesa në shembullin e Stambollit pas rënies së tij nën Perandorinë Osmane dhe ridefinimit e tij të bazuar në parimet e modelit të qytetit që e ngriti i Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s., në Medinë.

Karakteri organik dhe mekanik i qytetit

Karakteri eklektik i Stambollit, përballë qytetit monolitik, të konceptuar sipas teorisë së Veberit dhe Mumfordit, sipas Ahmet Davutogllusë, përcaktohet nga bashkimi dhe bashkëveprimi i përvojave krejtësisht të kundërta të qytetërimeve. Dhe, kjo është ajo që e bën Stambollin një megalopolis, për shumëkënd një kryeqytet kulturor të botës, në të cilin toleranca dhe harmonia janë parime të bashkëjetesës së shtresimeve të ndryshme kulturore të shfaqura përgjatë kronologjisë së njerëzimit.

I gjithë kapitulli i parë përfaqëson përvojat personale të autorit në njohjen e veçantive të qyteteve dhe të qytetërimeve, shpeshherë duke i vënë përballë njëri-tjetrit nëpërmjet përshkrimeve mbresëlënëse të një syri dhe mendjeje të mprehtë. Dimensioni vizual i përshkrimit të dallimeve ndërmjet Londrës dhe Stambollit, e shpie në definime që shpërfaqin karakterin e këtyre megalopoliseve botërore, për Stambollin si kryeqytet i qytetërimit të lashtë, ndërsa për Londrën si kryeqytet imperial të qytetërimit. Mbase, më mirë se çfarëdo përpjekjeje imja për t’i vënë në pah veçantitë e këtyre qyteteve si përfaqësuese të lashtësisë, nga njëra anë, dhe të kohës moderne, nga ana tjetër, nuk do të mund ta shpërfaqte në trajtë sinteze, më mirë se sa ky përshkrim i dy rrugëve të tyre, të cilin si ilustrim na e ofron autori: “Nëse Oksford Street dhe Istiklal Caddesi, si vertebrat moderne të një qyteti, pasqyrojnë thelbin e përbashkët të qyteteve të ndryshme, pyetja se “pse në Londër mungon një përvojë e ngjashme me atë të Stambollit ku Xhamia e Agajt, Kisha Katolike e Shën Antuanit dhe Kisha Ortodokse Greke e Shën Triadës në Istiklal Caddesi dhe sinagogat, që bëhen gjithnjë e më të shpeshta teksa zbret drejt Karakojit, kanë bashkëjetuar me shekuj pranë njëra-tjetrës?” nuk është një pyetje që buron vetëm nga vëzhgimi, por në të njëjtën kohë edhe nga perceptimi historik e urban. Me këtë përvojë, për herë të parë, pata rastin ta shoh dallimin mes larmisë organike e uniformitetit mekanik që ekziston mes qyteteve të lashta e atyre moderne” (Ahmet Davutoğlu, vep. e cit., f. 33-34.).

Shpirti i qytetit

Njohja personale e autorit me këto qytete e qytetërime nuk do të ishte mjaftueshme për të nxjerrë konstatime të qëndrueshme shkencore, pa njohjen e thellë të aspekteve teorike identitare, pa njohjen e admirueshme e të gjithanshme të së kaluarës së tyre historike dhe veçmas jo pa njohjen e shpirtit të qyteteve, si pjesë e identitetit të mbijetuar pavarësisht fateve historike dhe ndërveprimeve ndërqytetërimore.

I gjithë libri ndërtohet mbi parimin e shpërfaqjes së pluralitetit qytetërimor, kundruall qasjes reduksioniste, tejet thjeshtëzuese në të gjitha kontekstet, që haset gjithandej në mendimin e sotëm si perceptim historik eurocentrik, por që në secilën pikëpamje të mirëfilltë shkencore del i pamjaftueshëm për ta kuptuar trashëgiminë njerëzore si të tërë. Në këtë kontekst është ilustrues shembulli i tempullit hindu në Delhi, ku ndeshen gjurmët e monoteizmit, panteizmit e paganizmit, përkatësisht të traditës abrahamike dhe brahmanike.

Tipologji origjinale e qytetërimeve

Një çështje me interes e trajtuar në këtë vepër është edhe tipologjia e qyteteve në kontekstin e qytetërimeve botërore. Ahmet Davutogllu ka bërë një sintezë të madhe tipologjike, të strukturuar mbi një parimësi shkencore, duke i identifikuar karakteristikat e përbashkëta të tyre e që nis me qytetet themeluese të qytetërimeve (Pataliputra, Athina, Roma dhe Medina), për të vijuar me qytete të themeluara nga qytetërimet (Kordova, Delhi, Isfahani, Pekini, Parisi, Londra, Berlini, Amsterdami, Moska dhe Shën Peterburgu), pastaj qytete të bartura me formimin e qytetërimeve (Aleksandria, Konja, Bursa dhe Sarajeva), qytetet fantazma ose qytete që e kanë humbur shpirtin e tyre me zhvendosjen e pushtetit politik dhe transformimin qytetërimor (Kordova, Granada, Selaniku dhe Bahçesaraji), qytete të spastruara bashkë me qytetërimet (Mohenjodari, Harapa, Persepolisi, Otrari (Farabi) dhe Tenoktitlani), qytete mbi linjat e ndërveprimit gjeokulturor/gjeoekonomik (linja Mesopatami-Anadoll-Levant, linja Azi-Iran-Indi, linja Azi-Stepa dhe linja Andaluzi-Afrikë Veriore–Sahara) dhe qytetet që takojnë qytetërime të ndryshme, që vetë transformohen, por që e kanë vete edhe cilësinë e transformimit të qytetërimeve (Jerusalemi, Kajro dhe Stambolli).

Vepra “Qytete dhe qytetërime” e Ahmet Davutogllusë është një bazë e madhe e të dhënave mbi qytetërimet kryesore botërore, mbi shtresimet e qytetërimeve dhe ndërveprimet e tyre, mbi fatet tragjike të qytetërimeve të zhbëra dhe mbi modelet e harmonisë ndërmjet tyre.

Vepra “Qytete dhe qytetërime”, e shkruar me një kompetencë të veçantë profesionale dhe paanshmëri të rrallë shkencore, është gërmim në strukturat e lashta të qytetërimeve, është një hartë shpirtërore aktuale e njerëzimit dhe pse jo edhe një guidë për brezat që vijnë./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress