Siri, ISIS i kërkon falje Izraelit pasi hap zjarr kundër ushtarëve izraelitë

Tel Avivi mbetet kaq “neutral” në konfliktin sirian, saqë terroristët e Shtetit Islamik në të paktën një rast i “kanë kërkuar falje” Izraelit për sulme të gabuara ndaj ushtarëve të IDF-së në lartësitë e pushtuara të Golanit në Siri, sipas një ish-ministri izraelit të Mbrojtjes.

Duke folur për politikën më të gjerë izraelite të “neutralitetit” në Siri, ish-ministri i mbrojtjes, Moshe Ya’alon, ka pranuar rastësisht se Izraeli ka një kanal të hapur komunikimi me një qelizë Islame (ISIS) e cila vepron në Lartësitë e Golanit.

“Ka pasur një rast kohët e fundit ku Daesh hapi zjarr dhe kërkoi ndjesë,” tha Ya’alon të shtunën, siç u përmend nga Times of Israel.

Kur iu kërkua të zgjeronte deklaratën e tij të diskutueshme, zyra e Ya’alon nuk pranoi të bashkëpunonte. IDF gjithashtu refuzoi të komentojë. Sipas ligjit izraelit, çdo komunikim me terroristët konsiderohet i paligjshëm.

Ya’alon ka shërbyer si Ministër i Mbrojtjes së Izraelit nga viti 2013 deri në dorëheqjen e tij në maj 2016, dhe komentet e tij thuhet se i janë referuar incidentit të parë të drejtpërdrejtë që përfshin përplasjet midis Izraelit dhe terroristëve të Shtetit Islamik.

Në atë incident që u zhvillua nëntorin e kaluar, qeliza Shuhada al-Yarmouk, e cila ka premtuar besnikëri ndaj ISIS-it, shkëmbeu zjarr me forcat izraelite pasi Brigada e IDF-së në Golan kaloi gardhin e sigurisë me Sirinë për të kryer një operacion “pritë”.

Ndërsa zyrtarisht Izraeli është neutral në konfliktin sirian, Tel Avivi ka kryer në të kaluarën dhe në disa raste sulme ushtarake në Siri për të parandaluar transferimin e supozuar të armëve për grupin libanez Hizbollah, që konsiderohet si një grup terrorist nga Izraeli.

Avionët izraelitë u akuzuan për herë të parë për dyshimin se goditën një autokolonë siriane që transportonte armë iraniane për Hizbollahun, në janar 2013. Më shumë akuza u shfaqën gjatë viteve, të cilat Tel Avivi i ka mohuar ose ka refuzuar vazhdimisht t’i komentojë.

Më në fund në mars të këtij viti, Tel Avivi konfirmoi kryerjen e sulmeve ajrore mbi disa objektiva në Siri, pasi Damasku aktivizoi sistemin e mbrojtjes ajrore kundër avionëve të IDF-së.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu e arsyetoi inkursionin duke shpjeguar se aeroplanët e IDF-së po sulmonin një konvoj me armët Hizbollahut.

Damasku, megjithatë, tha se nga sulmet izraelite përfitonin vetëm Shteti Islamik dhe grupe të tjera terroriste. Më herët këtë muaj Presidenti sirian Bashar Asad edhe njëherë fajësoi Izraelin se ka ndihmuar militantët që terrorizojnë vendin e tij.

“Ju mund të supozoni se këta terroristë po luftojnë për Izraelin. Edhe nëse ata nuk janë pjesë e ushtrisë së rregullt izraelite, ata po luftojnë për Izraelin. Izraeli ka qëllime të përbashkëta me Turqinë, Shtetet e Bashkuara, Francën, Britaninë, Arabinë Saudite, Katarin dhe vende të tjera,” citohet të ketë thënë Asadi nga Ynet.

“Izraeli po punon për të ndihmuar këta terroristë kudo ku ushtria siriane është duke përparuar. Sulmet në një formë ose në një tjetër kryhen për të siguruar ndihmën ndaj tyre dhe për të ndalur vrullin e ushtrisë siriane përballë terroristëve”, shtoi kreu sirian. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne