Siria kërkon kompensim nga SHBA-ja për shkatërrimet e luftës

Prania e paligjshme e SHBA-së në Siri dhe humbjet e jetëve civile që kanë rezultuar prej saj, kanë bërë që Siria të kërkojë kompensim në Kombet e Bashkuara.

Qeveria e Republikës Arabe të Sirisë i ka shkruar OKB-së duke kërkuar që organi ndërkombëtar të kompensojë Sirinë për humbjet njerëzore dhe materiale që rezultojnë nga sulmet e paligjshme të SHBA-së dhe aleatëve ndaj infrastrukturës siriane.

Letra vjen menjëherë pasi ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov i përkujtoi botës se ndërhyrja e SHBA-së në Siri është e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar që OKB duhet të zbatojë.

Letra e plotë nga Siria për OKB-në është si më poshtë:

Me udhëzime nga qeveria ime, dhe në vazhdimësi të letrave të mëparshme në lidhje me bombardimet ajrore të kryera nga avionët e të ashtuquajturit koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fshatrat dhe zonat e populluara nga civilët dhe mbi infrastrukturën e naftës dhe gazit dhe objektet në Republikën Arabe të Sirisë, dua t’ju përcjell informacionin e mëposhtëm:

• Më 22 prill 2017, avionët e këtij “koalicioni ndërkombëtar” të paligjshëm bombarduan një stacion benzine në pjesën veri-qendrore të qarkut Tuwaynan në Raka.

• Më 29 dhe 30 maj 2017, avionët e këtij “koalicioni ndërkombëtar” të paligjshëm bombarduan puset e naftës në rrethin e Tabiyah në Dayr al-Zawr (Dier ez-Zoir).

• Më 27 maj 2017, avionët e këtij koalicioni të paligjshëm bombarduan fshatin Hasu Albu Awf në rrethin Shaddadah në Hasakah, duke shkatërruar plotësisht shumë shtëpi dhe duke vrarë civilë, shumica prej të cilëve fëmijë.

Nga viktimat, janë identifikuar Ayd Abdullah al-Husyan, Farhan Ayd al-Husayn dhe Amal al-Khidr, dhe fëmijë si Muhammad Farhan al-Husayn, i lindur në vitin 2007, Sarah Farhan al-Husayn, e lindur në vitin 2009, Ibrahim Farhan al-Husayn, i lindur në vitin 2010, Zahrah Farhan al-Husayn, i lindur në vitin 2016, dhe Yusuf Fariq al-Husayn, i lindur në vitin 2016.

Bombardimet e përsëritura nga ky “koalicion ndërkombëtar” i paligjshëm vazhdojnë të rrezikojnë jetën e qindra civilëve të pafajshëm sirianë dhe të shkaktojnë humbje të konsiderueshme materiale dhe shkatërrim pothuajse total të objekteve, shtëpive dhe infrastrukturës siriane, si dhe shkatërrimin total të objekteve dhe vendeve të naftës dhe gazit sirian.

Sulmet e të ashtuquajturit koalicion ndërkombëtar, së bashku me masat shtrënguese ekonomike të paligjshme e të njëanshme të imponuara ndaj Republikës Arabe të Sirisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe shtetet e tjera, pengojnë mirëmbajtjen e atyre objekteve ekonomike dhe rrezikojnë perspektivat për zhvillim dhe rindërtim në Republikën Arabe të Sirisë.

Qeveria ime riafirmon qëndrimin e saj se sulmet nga i ashtuquajturi koalicioni ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Levant (ISIL/ISIS) brenda territorit të Republikës Arabe Siriane janë të paligjshme dhe shkelin Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe të drejtën ndërkombëtare, përderisa ato po kryhen pa autorizimin paraprak ose koordinimin me qeverinë siriane.

Qeveria ime këmbëngul që këto sulme duhet të përfundojnë dhe se anëtarët e këtij koalicioni të paligjshëm duhet të mbajnë përgjegjësinë politike dhe ligjore për shkatërrimin e infrastrukturës në Republikën Arabe të Sirisë, duke përfshirë përgjegjësinë për kompensim.

Do të jem mirënjohës nëse kjo letër mund të lëshohet si një dokument i Këshillit të Sigurisë.
(Firma) Mounzer Mounzer.

Deri më tani, bombardimet e përsëritura të SHBA-së në Siri, përfshirë edhe në Raka, janë vënë nën vëzhgim për goditjen e objektivave civile, si dhe të infrastrukturës kryesore. Shtetet e Bashkuara gjithashtu akuzohen për përdorimin e fosforit të bardhë në armë kimike si në Siri ashtu edhe në Irak.

Një nga arsyet kryesore që bombardimet amerikane shpesh godasin objektet civile është për shkak të faktit se Amerika refuzon të koordinojë sulmet e saj me qeverinë siriane. Përkundrazi, Forcat Hapësinore të Rusisë punojnë ngushtë me Sirinë dhe aleatët e saj dhe vazhdimisht ndajnë informacione të rëndësishme.

Presidenti sirian Bashar al-Assad i ka ftuar Shtetet e Bashkuara të marrin pjesë në koalicionin ligjor anti-terrorist në Siri, por Shtetet e Bashkuara refuzojnë t’i përgjigjen thirrjeve të tij. Assad kështu ka riafirmuar se të gjitha forcat që luftojnë, bombardojnë dhe okupojnë Sirinë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Turqinë dhe Izraelin, po shkelin ligjin ndërkombëtar.

Siria, ashtu si Rusia, nuk është e interesuar të luftojë Shtetet e Bashkuara. Siria do të preferonte që forcat amerikane të lironin vendin, ndërsa Rusia e cila është plotësisht e vetëdijshme për paligjshmërinë e forcave amerikane në Siri dhe e ka shprehur në mënyrë të përsëritur këtë, duket se dëshiron ta sjellë Amerikën në një proçes të arsyeshëm paqeje.

Bashkëpunimi SHBA-Rusi-Jordani në lidhje me zbatimin e një armëpushimi në Sirinë jugperëndimore duket të jetë masa e parë e tillë bashkëpunuese midis Moskës dhe Uashingtonit. Turqia, forcat e së cilës kanë pushtuar Sirinë që nga fillimi i konfliktit, u soll në një proçes të ngjashëm paqësor kur u bashkua me partnerët e Sirisë, Rusinë dhe Iranin, si një anëtare e Grupit Astana. SHBA pothuajse me siguri nuk do ta kompensojë Sirinë për humbjet, por megjithatë letra tani është një çështje regjistrimi publik, e cila detajon në thelb krimet e luftës së Amerikës në Siri.

Adam Garrie

/ © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne