Siria: Sulmi amerikan, krim kundër njerëzimit

Damasku ka denoncuar fuqimisht si një “krim lufte” një sulm vdekjeprurës të kryer nga koalicioni ushtarak i udhëhequr nga SHBA kundër forcave pro-qeveritare siriane në provincën lindore Dayr al-Zawr të Sirisë, duke thënë se prania e SHBA në Siri është “e paligjshme”.

Ministria siriane e Punëve të Jashtme në dy letra të ndara dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres dhe presidentit të radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të enjten, dënuan sulmin amerikan duke thënë se sulmi ajror ishte “një krim kundër njerëzimit”. Më tej, Damasku akuzoi Uashingtonin se përpiqet të shfrytëzojë “justifikimin e luftës kundër terrorizmit për të krijuar baza të paligjshme amerikane në territorin sirian”. “Ne kërkojmë që bashkësia ndërkombëtare ta dënojë këtë masakër dhe ta mbajë përgjegjës koalicionin e udhëhequr nga SHBA për këtë mizori,” shtoi Ministria e Punëve të Jashtme e Sirisë cituar nga agjencia zyrtare e lajmeve e Sirisë, SANA. Gjithashtu Damasku kërkoi, edhe një herë, që “ky koalicion i paligjshëm” të shpërbëhej. “Ky agresion zbulon edhe një herë, pa asnjë dyshim, funksionin e vërtetë të kësaj aleance dhe rolin që luan Uashingtoni në mbështetjen e grupit terrorist ISIS, siç bëri në të kaluarën,” theksoi më tej ministria./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne