Sirianët e Shqipërisë: Në “kampet” ku strehohen të ikurit nga luftërat

Në Tiranë jetojnë me qindra të ikur nga vendet e Lindjes së Mesme. Disa si refugjate lufte, disa si emigrante ata i gjen në zona të ndryshme të qytetit, ku kanë krijuar minikampet e tyre. Një pjesë i kanë hyrë biznesit. Ne sot do ju tregojmë historinë e Salimit, palestinez dhe gruas së tij siriane, Livine. Ata janë njohur në Liban e më pas janë zhvendosur në Tiranë për të jetuar.

Historia e Salim dhe Nivin nuk është si ajo e mijëra azilkërkuesve nga vendet e Lindjes së Mesme. Salim është palestinez, ndërsa Nivin siriane nga Damasku, por dashuria e tyre nisi 4 vite më parë në Liban, në vendin ku ishin zhvendosur për të punuar. Pas një viti, u martuan dhe zgjodhën në mënyrë ligjore që strehëza e dashurisë së tyre të ishte Shqipëria.

“U martova këtu, ngela shtatzënë dhe tanimë kam një djalë. Ai është shqiptar. Eshte thjesht me emër Palestina, Siria, por ne jemi të gjithë njerëz, jemi njësoj”, thotë Nivin Alabd Yousef.

“Vëllai im jeton në Gjermani, por ai shkoi atje në mënyrë të gabuar, mua s’më pëlqen kjo mënyrë. Unë dua të punoj. Nuk doja të shkoja në azil dhe të më jepnin para, doja një biznes dhe kështu t’i fitoj paratë. Për në Shqipëri asgjë nuk pagova, vetëm 40 euro në Ambasadë për vizën. Është një vend i mirë, më pëlqen nëse s’do më pëlqente, sigurisht do largohesha nuk do qëndroja”, shprehet Salim Yousef.

Me ardhjen në Tiranë, çifti palestinez hapi një bar, ku tregojnë se pavarësisht jetesës së qetë këtu, fundi i muajit është i vështirë për t’u përballuar.

“Nuk është e lehtë, lokali që kam është me qira, shtëpia ku qëndroj gjithashtu. Dhe në fund nuk të ngelet asgjë”, thotë Salim Yousef.

Megjithatë Salim nuk e harron Palestinën. Ai shprehet se edhe pse djalin Omarin e ka lindur në Shqipëri, i flet shpesh për vendin e tij.

“Le të shkoj ku të dua, unë prapë do e dua vendin tim. Të gjithë thonë Palestina, Palestina, Palestina por asnjë nuk ndihmon. Askush nuk thotë gjynah, për njerëzit që vdesin atje, gra në moshë, burra të vjetër, fëmijë… është shumë keq”, shton ai.

Për këtë çift që shpreson së shpejti të marrin pasaportën shqiptare, Shqipëria është bërë toka e tyre. Pasi brenda një shtëpie, mendojnë ata, duhet të jesh i lirë. Ti mund të hysh dhe të dalësh kur të duash. Përndryshe, ajo nuk është më një shtëpi. Por, një kafaz.

Top Channel

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne