Sisitemi që lë fëmijët analfabetë në Homezh, mësuesit fajsojnë paraardhësit

Mësuesit, drejtori i shkollës dhe Drejtoria Arsimore e Pogradecit ia hedhin përgjegjësinë parardhësve për gjendjen në të cilën janë nxënësit e shkollës 9-vjeçare në fshatin Homezh, të cilët nuk dinë të lexojnë.

Pas transmetimit të këtij rasti në “Fiks Fare”, ku nxënësit e shkollës shfaqeshin pothuajse analfabetë, gazetarët kanë kontaktuar me prindërit, mësuesit dhe drejtuesit e kësaj shkolle për të mësuar sesi është krijuar kjo situatë e papranueshme.

Prindërit e fëmijëve mendojnë se kjo gjendje është krijuar për shkak të mungesës së sistemit parashkollor, pasi prej vitesh në këtë shkollë ka munguar kopshti. Ata pohojnë se menjëherë pas ngritjes së problemit në “Fiks Fare” është emëruar edhe një edukatore.

Ndërsa mësuesi përgjegjës, i komanduar në këtë shkollë prej një jave, Bedri Mokrari deklaron se kjo situatë mund të jetë krijuar për shkak të viteve të mëparshme, pasi ai ka rreth një vit që është emëruar në këtë institucion arsimor.

Po ashtu, një tjetër pretendim i tij është fakti se fëmijët janë në prag të vitit të ri shkollor dhe shkëputja nga leximi mund të ketë ndikuar tek ata. Mokrari thotë se aktualisht ai është mësues i ciklit të ulët, por që prej një jave është komanduar mësues përgjegjës për shkollën, ndërkohë që më parë kishte emigruar në SHBA.

Ai thotë se kronika e “Fiks Fare” i ndihmon për të përmirësuar punën e tyre dhe premton se deri në fund të vitit kjo situatë do të ndryshojë rrënjësisht, pasi kjo vihet re edhe te brezat e ciklit të ulët, ose tek ata që sapo kanë kaluar në ciklin e lartë, pikërisht në klasën e gjashtë.

Ai thotë se kontrolle ka pasur që në provimin e 9-vjeçares, provim që është kryer në një tjetër shkollë, niveli mesatar i nxënësve të saj ka qenë i ulët.

Edhe mësuesi i gjuhës shqipe, Fejzi Zhupa, i cili ka rreth dy vite që është emëruar, thotë se probleme janë hasur, por jo në gjendje aq të rëndë.

Ai thotë se po punohet për përmirësimin e situatës dhe shton se lëndët si gjuha dhe matematika nuk jepen më në grupe kolektive, por secila klasë bën mësim veç e veç.

Ndërkohë, shefi i Drejtorisë Arsimore në Pogradec, Ilir Torra, në një intervistë për “Fiks Fare” ka falenderuar emisionin për shqetësimin e bërë prezent dhe ka deklaruar se brenda 2-3 ditëve do të ngrihet një grup inspektimi.

Ai ka bërë me dije se, niveli i ulët i nxënësve është vënë re në provimet e 9-vjeçares, por vetëm 2 prej tyre kanë ngelur, pasi të tjerët, pavarësisht notave të ulëta, kanë kaluar testin e ciklit të lartë.

Gjithësesi, Torra ka nënvizuar se pas një inspektimi të hollësishëm, nëse do të ketë mangësi në performancën e mësuesve do të merren masat përkatëse.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne