Situata në Maqedoni/ Reagon MPJ: Dënojmë dhunën e ushtruar ndaj përfaqësuesve të zgjedhur

Situatë kaotike dhe mjaft e tensionuar po mbizotëron në Maqedoni ku grupe të shumta të qytetarëve kanë hyrë brenda parlamentit, duke dhunuar deputet e gazetar të shumtë.

Për këtë situatë ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, e cila shprehet mjaft e shqetësuar për situatën në vendin fqinj dhe bën thirrje për vetëpërmbajtje ndaj të gjithë aktorëve politik.

Më poshtë deklarata e Ministrisë së Jashtme:
Po ndjekim me shqetesim të madh përshkallëzimin e situatës në Maqedoni dhe skenat e dhunës në ambjentet e Kuvendit ku raportohen sulme ndaj deputetëve. Përplasje dhe skena të tilla dhune kundër përfaqësuesve të zgjedhur nga qytetarët e Maqedonisë janë të papranueshme dhe aspak të denja për një demokraci parlamentare. Dhuna nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar.

U bëjme thirrje të gjithë aktorëve politikë të tregojnë vetëpermbajtje, të mos përdorin retorika që përshkallëzojnë situatën e tensionuar dhe të angazhohen maksimalisht, me qetesi, e gjakftohtesi në një dialog të qenësishëm. Gjithashtu, i bëjmë thirrje forcave të rendit të angazhohen në ruajtjen e rendit publik dhe sigurisë së gjithë qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre.

Qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vijimësinë e procesit të funksionalizimit të institucioneve, në të mirën e tyre të përbashkët, të bashkejetesës e harmonisë ndëretnike si edhe të përparimit euroatlantik të vendit. Mbështesim thirrjen e ambasadoreve të vendeve të BE-së dhe të SHBA-së për të shmangur dhunën dhe për të nisur një dialog të qënësishëm politik në Maqedoni.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne