Situata pas tërmetit/ Pezullohen shit-blerjet në Durrës, rritet çmimi i qerasë, Këneta zona më e lirë

Ndërkohë që kërkesa për qira ka arritur kulmin në Durrës, më të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit, kërkesa për blerje apartamentesh është pezulluar.

Agjencitë e pasurive të paluajtshme pohojnë se aktualisht ky segment i tregut ka pezulluar aktivitetin, edhe pse shprehen se në zonën e bregdetit, e cila ka qenë edhe më e prekura, shumë apartamente kanë dalë në okazion.

Megjithatë Arjan Gjuzi, nga Century 21 thotë se agjencitë e pasurive të paluajtshme nuk po preferojnë më të marketojnë këto zona, pa pasur 100% siguri për apartamentet që dalin në shitje. Edhe pse është shpejt për të folur, tërmeti pritet të ketë efekt të shtrirë në kohë për sa i përket patundshmërisë në zonën e Plazhit, ku nëse do të ketë shitje bëhet fjalë për apartamentet pas Golemit, ku edhe efektet e tërmetit kanë qenë më të vogla.

Ndërsa në zonën e fillimit të plazhit nga Ura e Dajlanit deri tek Iliria, rreth 90% e pallateve kanë dëmtime. Edhe komplekse të reja, që ishin në proces përfundimi, kanë pësuar dëmtime në muraturë, duke e bërë tepër të vështirë që të bindin ndokënd për t’i blerë.

Zonës së Plazhit dhe Golemit në Durrës i ishte kthyer shkëlqimi së fundmi, për shkak të kthimit të saj në një destinacion të preferuar turistik për të huajt, duke gjallëruar dhe tregun e shitblerjes së pasurive të paluajtshme.

Agjencitë shprehen se zona e Gjirit të Lalzit, edhe pse shumë më pranë epiqendrës, nuk është prekur nga tërmeti. Në këtë zonë po ndërtohen kryesisht vila cilësore, që nuk kanë shfaqur dëmtime nga tërmeti, por gjithsesi frika psikologjike mund të ndikojë, pasi Gjiri i Lalzit ka qenë epiqendra e lëkundjeve të muajve të fundit.

Tërmeti u shoqërua me frikë dhe panik te qytetarët, të cilët kërkojnë patjetër që të vendosen në shtëpi private apo në kate të ulëta.

Krenar Bardhi thotë se 85% të kërkesave të reja janë për shtëpi private ose në rast se është pallat nuk duan të banojnë më lartë se kati i katër i një godine.

Por nuk kanë munguar as kërkesat për të blerë shtëpi private. Arjan Gjuzi thotë se ka pasur interesim për blerjen e shtëpive private.

Rriten qiratë

Krenar Bardhi, agjent i pasurive të paluajtshme i Remax në Durrës, tha për Monitor se aktualisht po ndodh një rritje artificiale e qirave në qytetin bregdetar dhe nuk kanë qenë të pakta edhe rastet kur pronarët kanë tërhequr pronat nga portofoli i agjencive, për t’i dhënë vetë me një çmim më të lartë.

Pas tërmetit të 26 nëntorit, Krenar Bardhi thotë se ka pasur një kërkesë të shtuar për shtëpi me qira. Shumë qiramarrës po shpërngulen nga zonat periferike ku kanë qenë qiramarrës prej vitesh, siç është zona e Kënetës, dhe kishte qira të ulët, në zonat më pranë qendrës ku qiraja është relativisht më e lartë. Sipas tij kjo, gjithashtu po reflektohet si rritje çmimi.

Arjan Gjuzi, agjent i pasurive të paluajtshme i Century 21, thotë se ka pasur një kërkesë në rritje për shtëpi më qira pas situatës së krijuar, por qiradhënësit që kanë rritur në mënyrë artificiale në përgjithësi nuk kalojnë nëpërmjet agjencive të pasurive të paluajtshme.

Duke qenë se është rritur kërkesa kanë ngelur shumë pak shtëpi të lira të pazëna. Sipas Gjuzit shtëpitë e lira kanë një qira relativisht të lartë, të cilat kanë qenë me këtë çmim që para tërmetit. Ai thotë se bëhet fjalë për prona elitare, të vendosura në pallate të ndërtuara mirë dhe me një mobilim luksoz.

Edhe Erin Reka, një tjetër agjent i Century21 thotë se në përgjithësi nuk kanë pasur ndryshime të çmimit pronat që jepen nëpërmjet ndërmjetësuesve. Sipas tij çmimet në qendër të Durrësit kanë qenë 200-250 euro, por pas tërmetit kanë mbetur vetëm ofertat e larta.

Aktualisht një hyrje 1+1 me qira jepet rreth 300 euro ndërsa 2+1 rreth 400 euro, pothuajse sa dyfishi i bonuseve përkatës.

Këneta zona më e lirë, Vollga më e shtrenjta

Zona e Kënetës shënon edhe ofertat më të lira për sa i përket shtëpive me qira. Agjencitë e pasurive të paluajtshme pohojnë se në këtë zonë çmimet varojnë nga 12,000 deri në 18,000 lekë në muaj.

Në zonat më pranë qendrës, afër Spitalit të Durrësit, tek Stadiumi, apo te pallati i Sportit, qiratë vlerësohen të jenë rreth 20,000 lekë.

Në zonën e qendrës qiratë janë rreth 25,000 lekë.

Në zonën e shëtitores Taulantja, apo siç njihet ndryshe Vollga, çmimet e qirave janë më të lartat në qytet, ku sipas agjencive të pasurive të paluajtshme qiraja mujore varion nga 250 euro deri në 400 euro në varësi edhe të mobilimit të shtëpive.

Sikurse pohojnë edhe agjencitë e pasurive të paluajtshme, zona e Currilave ka qenë shumë pak ose aspak e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, fakt që ata e lidhin me terrenin disi më të qëndrueshëm. Po ashtu edhe në zonën e Vilës së Zogut.
/Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne