Skagnimi i mendimit islam; lufta kundër racionales dhe beteja për ta mboshtur el-Mu’tezilen

Shkruan: Mustafa Bajrami

Historia e njerëzimit në përgjithësi është e mbushur me ngjarje të çuditshme dhe tepër të dhimbshme. Jo rrallë ka ndodhur që një njeri i madh, një dijetar, një teori apo një shkollë të jetë keqkuptuar deri në atë masë, sa tu janë bërë linçime e persekutime të paimagjinueshme. Ka ndodhur që gjenialitete të tëra janë privuar nga jeta pikërisht për shkak të keqinterpretimeve që u janë bërë opinioneve të tyre. Edhe më keq, ka ndodhur gjithashtu kur qëndrimet më të ashpra ndaj tyre t’i kenë marrë njerëzit e mirë e me qëllime të mira. Për shkak se këta njerëz, edhe pse të mirë, por, gjithsesi të paditur, nuk arrinin të kuptonin thellësinë e mendimeve të njerëzve të thellë, i sulmonin dhe i persekutonin pikërisht ata që duhej t’i mbështetnin dhe t’i mbronin. E çuditshme është se kjo bëhej në emër të drejtësisë dhe në emër të mbrojtjes së të vërtetës. Këto ngjarje me të drejtë kanë përmbysur bindjen mbi pagabueshmërinë e historisë. Paradoksalisht, kjo e keqe vazhdon të ndodhë edhe sot e kësaj dite.

Edhe historia islame është e zhytur në këtë katrahurë të çuditshme. Janë të dhimbshme ngjarjet kur në emër të Zotit, në emër të Drejtësisë e të Vërtetës, në emër të mbrojtjes së fesë, janë bërë persekutime të tëra. Jo gjithherë arsyeja e shëndoshë ka qenë evidente në historinë islame. Jo gjithmonë mendimi i lirë dhe spiritualizmi janë pranuar nga masat myslimane. Aq më keq kur udhëheqësit e shtypjes ishin vetë dijetarët myslimanë që thirreshin në emër të Islamit.

Shkolla e parë racionaliste islame e quajtur “el-Mu’tezile”, është shembull tipik dhe më i dhimbshmi i kësaj të keqeje që ka ndodhur. Shkolla mu’tezilite e cila Islamit i ka bërë shërbime të paimagjinueshme, e cila stoikisht dhe në momente të vështira i ka mbrojtur parimet dhe mësimet e Islamit, për shekuj të tërë, ndoshta edhe sot, është abuzuar dhe është akuzuar për hermetizëm. A, hermetizmi ishte pikërisht ajo që më së shumti mu’tezilitët e kanë luftuar.
Asnjë lëvizjeje islame nuk i është bërë kaq shumë padrejtësi.
Asnjë shkolle të mendimit islam nuk i është deformuar imazhi sa el-Mu’teziles. Shpifje të rënda i janë bërë shkollës së parë racionaliste në Islam. Mu’tezilitët që ishin mbrojtës të Islamit, që me konsistencë e me konsekuencë luftuan depërtimin e pakontrolluar të filozofisë helene në hapësirat gjeografike myslimane, të cilët me aq mjeshtri përdorën mësimet racionaliste për t’i mbrojtur parimet origjinale të fesë islame, çuditërisht shpallen për armiq të Islamit. U shkua aq larg sa fjala “el-mu’tezile” u personifikua me pabesim. Nuk ka qenë aspak e lehtë për ata burra kur u quajtën jobesimtarë, a në fakt, ata ishin mbrojtësit më racionalistë të fesë islame. Punën madhështore të cilën mu’tezilitët e kryen me nder e me krenari, bota islame e gjykoi për hermetizëm. Çfarë çmendie!

Andaj, mendoj unë, me të drejtë u shkrua shumë herë se kjo është katastrofa më e madhe që u ndodhi myslimanëve. Përveç edhe disa momenteve të tjera, është pikërisht kjo katastrofë që stagnoi zhvillimin e mendimit islam, që stopoi ecjen e botës islame krahas me kohën. Islami që është fe universale në kohë dhe hapësirë, që mundet dhe duhet t’i flet secilit njeri, në secilën kohë dhe në secilin vend, reduktua në diçka që kinse nuk mund të bëjë këtë. Çfarë mëkati dhe çfarë padrejtësie..!
Se kush janë mu’tezilitët dhe çfarë është mendimi i tyre, do të shkruajmë në vazhdim.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne