Shqiperia

Skandali/ Drejtori i ‘Magjistraturës’ Arben Rakipi avokat i kreut të TIA-s Alvensleben! Ligji e ndalon, ja fijet e interesave

Drejtuesi i një prej organeve të rëndësishme të sistemit të drejtësisë ushton në të njëjtën kohë aktivitetin privat të avokatit, duke përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e klientëve të ndryshëm në drejtësinë ku është vetë pjesë, në këmbim të parave. Kjo është çudia e radhës në drejtësinë shqiptare me protagonist Arben Rakipin, drejtues i Shkollës së Magjistraturës.

Në prill të vitit 2020, Arben Rakipi është caktuar drejtues i komanduar i Shkollës së Magjistraturës, ndërsa është në të njëjtën kohë avokat dhe Përgjegjës i Programit të Formimit Fillestar në institucionin nga i cili dalin prokurorët dhe gjyqtarët e rinj shqiptarë. Në 28 korrik 2020, Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, emëroi me unanimitet Arben Rakipin, Drejtor të Shkollës së Magjistraturës, për një mandat katërvjeçar.

Ndërkaq, ligji nr. 115/2016 për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, në pjesën për Shkollën e Magjistraturës, ndalon që drejtori i Shkollës së Magjistraturës të ushtrojë çdo funksion tjetër, me përjashtim të të mësimdhënies dhe veprimtarive me natyrë shkencore. Konkretisht, pika 3 e nenit 250 të ligjit nr. 115/2016 parashikon që “funksioni i Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës është i papajtueshëm me çdo funksion tjetër publik, anëtarësimin në partitë politike apo pjesëmarrjen në veprimtaritë e tyre, ose kryerjen e çdo veprimtarie tjetër fitimprurëse, me përjashtim të mësimdhënies dhe veprimtarive me natyrë shkencore”.

Ligjvënësit, jo rastësisht, e kanë kufizuar veprimtarinë e kreut të Shkollës së Magjistraturës, duke e ndaluar të ushtrojë çdo aktivitet fitimprurës, përfshirë edhe atë të avokatisë, për shkak të interesave të drejtpërdrejta që kanë me Shkollën e Magjistraturës gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët kanë në dorë çështjet e klientëve të drejtorit të shkollës si avokat. Të gjithë gjyqtarët e prokurorët janë të detyruar të ndjekin seminaret periodike në Shkollën në Shkollën e Magjistraturës si dhe janë të interesuar për të vlerësime pozitive nga institucioni që drejtohet nga Rakipi.  Gjithashtu, sipas ligjit, Rakipi i propozon Këshillit Drejtues kandidatët për pedagogë të jashtëm dhe trajnuesit e programit të formimit vazhdues. Ky lloj aktiviteti i ndihmon gjyqtarët dhe prokurorët që të rriten në karrierë. Po ashtu, shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë të interesuar që fëmijët e tyre të pranohen në Shkollën e Magjistraturës për t’u bërë magjistratë.

Megjithatë, në konflikt të dukshëm interesi, gjatë ushtrimit të detyrës së drejtorit të Shkollës së Magjistraturës fillimisht si i komanduar dhe tashmë me mandat të plotë, Arben Rakipi rezulton ortak në mazhorancë me 55 % të aksioneve të zyrës ligjor “Rakipi & partners”, me nipt: M01908027N, ku si objekt veprimtarie, ndër të tjera ka edhe ‘përfaqësimin e palëve gjatë proceseve civile, administrative etj.”. Zyra ligjore është themeluar në datë 25/06/2020, pasi Rakipi është komanduar në krye të ‘Magjistraturës’ dhe shumë shpejt ka nisur aktivitetin fitimprurës.

Në 22 korrik 2020, “Rakipi & partners”, me avokat pikërisht Arben Rakipin, përfaqëson interesat e kompanisë Tirana International Airport, që menaxhon Aeroportin e Rinasit, me administrator Constantin von Alvensleben, në çështje të ndryshme civile apo penale. Pak javë më parë, Alvensleben, i lakuar për një seri skandalesh si drejtor i TIA-s, u kallëzua penalisht nga administratori i një kompanie që ushtron aktivitet tregtar në ambientet e Tirana Airport, për shkatërrim prone dhe vetëgjyqësi. Rastin e mori në dorë prokurori Kasem Berberi, i cili vendosi “mosfillim të hetimit”, duke e konsideruar veprën penale të vetëgjyqësisë si një çështje civile dhe nxjerrë kështu të ‘larë’ klientin e Arben Rakipit.

Administratori gjerman i TIA, Von Alvensleben, është palë edhe në çështje civile në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Në këtë procesin gjyqësor, “zgjidhet” si kryesues gjyqtari Asim Vokshi, i cili është trajnues në Shkollën e Magjistraturës, e drejtuar tashmë nga drejtori-avokat, Arben Rakipi. Gjyqtari Vokshi i jep të drejtë klientit të Rakipit, shtetasit gjerman Von Alvensleben, duke i hequr masën e sigurimit të padisë, e cila ishte vendosur më parë ndaj tij. Por, “çudia” nuk mbaron këtu. Gjyqtari Vokshi e rikthen çështjen në shkallë të parë, duke përcaktuar në vendim që rastin duhet ta marrë gjyqtarja e shkallës së parë të Krujës, Engjëllushe Tahiri, e cila po shqyrton çështjen e themelit rezulton se edhe ajo është trajnuese në Shkollën e Magjistraturës.
Gjithashtu, Prokuroria ka rregjistruar një tjetër kallëzim penal nr. 5212 datë 08.05.2020, për Alvensleben, material i cili eshte trajtuar dhe mosfilluar nga prokurori Armand Gurakuqi, i cili për çudi rezulton të jetë caktuar si trajnues në Shkollën e Magjistraturës për vitin 2019-2020./Shqiptarja

OPINIONE

INTERVISTA