Skandali i Doktoraturave, denoncon pedagogu: Bëhen pazare të turpshme

Pedagogu Sokol Abazi akuzon një kolegun e tij se ka fituar titullin e doktoraturës përmes botimit të artikujve shkencorë të vjedhur.

Ish-pedagogu i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Sokol Abazi, i cili është aktualisht pedagog në Institutin Kanadez, ka thënë se pedagogu Gledjan Caka e ka fituar titullin doktor përmes botimit të tre artikujve shkencorë të vjedhur.

“Para disa kohësh disa studentë të mitë që studiojnë jashtë duke bërë kërkime në literaturë gjetën një kërkim të dy autorëve shqiptarë në një revistë prestigjioze për leuceminë dhe kancerin e gjakut. Shikojnë që s’ka citim ku është bërë puna, cilët janë bashkëpunëtorët, dhe i drejtohen disa pedagogëve në gjermani për t’i pyetur për autorësinë dhe cilësinë e rezultateve. Nga komunikimi me ta rezulton se ata ishin përvetësuar në mënyrë të padrejtë dhe ishin botuar pa lejen e atyre që i kishin prodhuar këto rezultate, me fondet e qeverisë gjermane”, ka thënë Abazi për Top Channel.

Nga ana tjetër, Gledjan Caka ka reaguar ndaj kësaj akuze duke thënë se “kanë qenë të gjitha me shpenzime personale. Nuk janë marrë as nga universiteti, as nga fakulteti, dhe nuk është aplikuar ndonjëherë për fond apo grant. Në qoftë se revista përkatëse do të më kërkonte që t’i njoftoja se ku janë bërë punët do e bëja. Nuk e kam parë si të udhës, pasi punën e realizova vetë.”

Por për Abazin, po aq fajtor sa pedagogu pranë departamentit të Bioteknologjisë, është edhe udhëheqësi i doktoraturës së tij, rektori Mynyr Koni.

“Më e keqja është se me këto rezultate është bërë edhe një doktoraturë. Në këtë rast është vetë rektori që jep një shembull skandaloz. Tani ata kanë tërhequr publikimet, por duhet të merrte një masë sepse është ai vetë udhëheqësi. Është doktoraturë e bazuar në 3 publikime të vjedhura. Universiteti rri në heshtje, ministria gjithashtu do priste që të merrte masa.”

“Artikujt gjenden, janë edhe online. Një artikull është botuar në buletinin e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, një në Indi dhe një në Amerikë. Për aq kohë sa nuk kam pasur problematika nga revistat përkatëse që kanë gjykuar se puna ime është e saktë, të shkosh deri te pjesa që të kërkosh heqjen e gradës më duket shumë ekstreme”, thotë Gledjan Caka, sërish në mbrojtje të gradës së tij.

Abazi shton se me diplomat e doktoraturës në Shqipëri janë bërë dhe po vazhdohet të bëhen pazare të turpshme.

“Gjëja më absurde është që fakti se infermierisë i kanë dhënë 300 doktoratura, ku ka vetëm 4 profesorë. Del infermieri me gradë më të lartë shkencore se doktori. Kudo në botë infermieria mbetet në nivelin e shkollës së mesme, disa vende si tonat mund ta kenë fakultet, por kurrsesi doktoraturë”, shprehet Sokol Abazi.

Sipas tij, Ministria e Arsimit ka detyrimin ligjor të kontrollojë mënyrën sesi universitetet i realizojnë diplomat e doktoraturës, por në vend që të bëjë këtë duket se është fshehur pas ligjit të ri të arsimit të lartë, me argumentin se ai parashikon autonomi universitare.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne