Skandali/ Shteti u lidh pensionin dy jetimeve, 7 mije lekë të vjetra në muaj

Redinela Hyka 25 vjeç, është një nënë kryefamiljare e cila ka të ardhura mujore vetëm 7 mijë lekë të vjetra , si pension për dy vajzat e saj jetime. Fëmijët e moshës 6 dhe 2 vjeç, përfitojnë vetëm nga 3500 lekë të vjetra pension, pasi babai i tyre ndërroi jetë rreth një vit më parë.

Znj. Hyka jeton në shtëpinë e vjehrrit në Kamëz. Shtëpia dy katëshe, në proces legalizimi, ka probleme me lagështinë. Gjë e cila ndikon tek shëndeti i vajzës dy vjeçare që tashmë vuan nga alergjia. Për ironi, tashmë familjes i është hequr edhe ndihma ekonomike, pasi siç i kanë thënë nuk i plotëson pikët. Kryesisht për shkak se familja prej 3 anëtarësh është strehuar në një shtëpi dy katëshe.

“Para 1 viti e gjysme burri im ndërroi jetë nga një hemoragji cerebrale. Pak pasi ndodhi menduam të bënim diçka për vajzat dhe shkuam në bashki fillimisht. Na thanë se japim ndihmë ekonomike për jetimët, por ti nuk mund të marrësh pasi je me leje lindje. Deri sa të mbarojë leja nuk mund të marrësh. Shkuam tek sigurimet shoqërore dhe na thanë se bashkëshorti im 29 vjeçar kishte vetëm 8 muaj sigurime. Megjithatë shteti do të të japë diçka. Më dhanë 3.500 lekë të vjetra për fëmijë. Shteti u tall me ne duke na dhënë këtë lëmoshë. Edhe ndihmën ekonomike ma hoqën në janar të këtij viti, pasi më thanë se nuk plotëson pikët” shprehet znj.Hyka.
Kryefamiljarja e ve, me vajzën 2 vjeçare e cila fle në krahët e nënës gjatë gjithë rrugës, mban radhë për të marrë certifikatën familjare dhe më pas ndihmën prej 7 mijë lekë të vjetra. Me paratë që merr blen një qese me ushqime. Qumësht, vaj, oriz,miell, salcë dhe 3 çokollata 10 lekëshe. Kaq është ndihma për një muaj, e konvertuar në ushqime.
Me lot në sy Redinela thotë: Për fat të mirë kam njerëzit e mi që më mbështesin, të ishte për shtetin nuk e di çdo kisha bërë.

Fiks Fare kontaktoi me Drejtorin e Përgjithshëm të Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Ilir Çumani. Sipas tij, rastet të tilla ndodhin nga mungesa e vëmendjes së strukturave të pushtetit lokal dhe qendror, të cilat nuk koordinojnë veprimet me njëra-tjetrën.

“Ky rast duhej të identifikohej nga pushteti lokal dhe të përgatitej dokumentacioni për t’u trajtuar në programet e fuqizimit të familjes. Të dy fëmijët nëse do të ishin pjesë e programit do të përfitonin nga 90 mijë lekë të vjetra në muaj. Por raste të tilla po disavantazhohen” u shpreh z.Çumani.

E për sa kohë institucionet nuk koordinojnë veprimet më njëra-tjetrën viktimat e radhës janë fëmijët që vuajnë mungesën e vëmendjes./ TCh

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne